e shtunë, 7 mars 2009

Buffon: Mourinho, mjaft me biseda kafenesh!

Portieri bardhezi ka mbetur i zhgënjyer ndaj komenteve agresive të trajnerit interist

Nesër në mbrëmje do të zhvillohet derbi torinez midis Torinos dhe Juventusit dhe portieri i bardhezinjve, Gianluigi Buffon, shpreson që rivalët të ndjekin këshillën e trajnerit zikaltër. “Do të ishte mirë sikur të zbatonin idenë e hedhur nga Mourinho dhe të luanin me ekipin e të rinjve”. Por, përtej shakave, numri një i juventinëve ka pranuar se është zhgënjyer nga deklaratat e ashpra të bëra nga trajneri portugez. “Nuk më ka ardhur aspak mirë. Gjithmonë e kam pëlqyer dhe e kam respektuar si njeri dhe si komunikues me mediat, por besoj se ka disa limite që një njeri i futbollit i njeh shumë mirë dhe që nuk duhet t’i kalojë asnjëherë”. Më pas Buffon ka shpjeguar edhe se cilët janë limitet që duhen respektuar. “Limiti i parë që nuk duhet kaluar është të mos ulet futbolli në nivelin e diskutimeve që zakonisht bëhen në kafene. Më ka zhgënjyer me këto deklarata”. Dhe sipas portierit të kombëtares italiane deklaratat e bëra nga Mourinho para pak ditësh kanë qenë të këtij niveli. “Kanë qenë akuza të forta. Nëse një drejtues ose një klub ka ankesa për diçka ka të drejtë t’i shprehë ato, por që kjo gjë të bëhet nga një trajner apo nga një futbollist mua më bezdis, pasi ne jemi njerëz të futbollit”. Limiti tjetër. “Mungesa e respektit. Edhe pse në rastin e Mourinhos nuk e di nëse ka qenë një mungesë respekti ndaj atyre që ka sulmuar ose ngaqë ka humbur sensin e realitetit”. Pra, dy vjet pas “Calciopolit” janë rikthyer akuzat për një Juventus që favorizohet nga arbitrat. “Ky ka qenë qëllimi i trajnerit të Interit, - ka vazhduar Buffon, e ka nënkuptuar këtë. Do të më kishte pëlqyer që gjatë konferencës për shtyp dikush të ishte çuar në këmbë dhe t’i kishte thënë: ç’janë këto marrëzi?”. Diferenca qëndron tek fakti se disa vite më parë të gjithë do të kishin mbështetur portugezin në akuzat kundër Juves, ndërsa sot e mbështesin vetëm tifozët e Interit. “Kjo varet edhe nga njerëzit që janë objekt i akuzave. Në atë kohë kishte persona shumë të aftë, të vlerësuar nga bota e futbollit dhe më me peshë. Nga ana praktike kjo na krijonte shumë armiq”. Me pak fjalë drejtuesit e tanishëm të bardhezinjve nuk frikësojnë asnjeri. “Po punohet mirë, ka thënë Buffon, falë tyre ne jemi ringjitur dhe po përmirësohemi nga viti në vit. Por janë fytyra të ndryshme”. Në fund vjen një koment mbi korrektësinë dhe dinakërinë e Mourinhos. “Unë vazhdoj ta respektoj atë, por nëse qëndrimi i mbajtur nga ai para disa ditësh do të përsëritet atëherë unë do të ndryshoj gjykimin tim, sepse ka dy lloje njerëzish që nuk i duroj dot: idiotët dhe ata që janë shumë dinakë. Sigurisht Mourinhon nuk do ta përfshija tek kategoria e parë”, ka thënë portieri i Juventusit.

Nuk ka komente: