e shtunë, 7 mars 2009

Ranieri “zbutet para derbit dhe Chelseat

Trajneri bardhezi ka vendosur të mos polemizojë më me portugezin: Ndaj Torinos, çdo rezultat i mundshëm

Claudio Ranieri ka zgjedhur rrugën e heshtjes. Dhe provon t’i vërë kapak, nga ana e tij, polemikave të shkaktuara nga deklaratat bombë të Mourinhos. “Gjithçka që kam thënë ka qenë e drejtë, ka treguar trajneri bardhezi. Për pjesën tjetër nuk dua të them më asgjë. Nuk mund të them të gjitha ato që mendoj. Eshtë një çështje që ka të bëjë me vetëpërmbajtjen. Do të autoçensurohem”. Më pas trajneri ka vazhduar duke thënë: “Do të rithoja edhe një herë gjithçka kam thënë gjatë kësaj jave, edhe pse për fat të keq nuk kam mundur të them gjithçka kam dashur. Kjo është vetëpërmbajtje”. Pra, Claudio Ranieri nuk është i penduar për asgjë, përveç se nuk ka thënë të gjitha ato që mendonte në lidhje me polemikat e kësaj jave dhe me konferencën për shtyp të bërë nga Mourinho të martën e kaluar. Megjithatë, trajneri bardhezi, i ka lëshuar disa thumbime portugezit të Interit, kur ka shpjeguar se “jam gjithmonë i kënaqur kur i kam të gjithë lojtarët në dispozicion dhe të luftoj në çdo ndeshje deri në fund pavarësisht se cilët janë lojtarët që futen në fushë”. Por Ranieri ka “gjëra të tjera për të cilat duhet menduar, duhet të mendojmë vetëm për ndeshjet edhe nuk duhet të flasim më për këto polemika”. Edhe pse përballjet e radhës janë vendimtare, sot Torino, të martën Chelsea në Champions. “Eshtë një javë e bukur, interesante dhe me shumë evenimente, duhet t’i marrim ndeshjet me radhë. Në fillim është derbi, e dimë se sa është i rëndësishëm dhe jemi gati. Polemikat nuk kanë ndikuar aspak, fakti se këto ndeshje janë të gjitha të rëndësishme dhe shumë afër njëra-tjetrës mund të ndikojë. Por një skuadër duhet të jetë gati për të kaluar situata të tilla. Sigurisht do të më kishte pëlqyer të përballeshim me këto sfida me një përgatitje më të mirë atletike dhe fizike, por adrenalina që të jep një derbi dhe që do të na japë edhe ndeshja tjetër do të bëjë që të ndihemi mirë”. Pikërisht, Derbi. Një fjalë që ka gjithmonë të njëjtin kuptim pavarësisht nga pozicioni në renditje, nga vlerat e lojtarëve që janë në fushë: “Do të ndeshemi me një Torino të karikuar, agresive dhe kompakte, - ka shpjeguar Ranieri. Pastaj këtu pozicioni në renditje nuk ka asnjë rëndësi, ashtu siç ndodh në të gjitha ndeshjet derbi. Në këto 90 minuta gjithçka zerohet dhe skuadrat kanë të njëjtat mundësi për të fituar”.

Nuk ka komente: