e hënë, 2 mars 2009

Marchisio, mesfushori me “vesin” e golit

Lojtari bardhezi ka qenë sërish vendimtar për ekipin e tij në kampionat, duke i dhuruar fitoren

Ka qenë sërish ai njeriu i ndeshjes, edhe kundër Napolit. Ka goditur dhe topi, pasi është devijuar nga Blasi, ka përfunduar në rrjetë. Kjo është mënyra se si shënojnë mesfushorët. Kishte ndodhur më parë në natën e 21 janarit, Juventus-Fiorentina 1-0, pasim i Del Pieros, gol i Marchisios. Pas këtij momenti ai është cilësuar “Tardelli i ri”, dhe pas golit vendimtar të shënuar të shtunën në mbrëmje, nuk kanë ardhur përshëndetjet e zakonshme. Nuk kanë ardhur komplimentat që i bëhen zakonisht një lojtari 23-vjeçar, fjalët që i thuhen të rinjve që përpiqen të konfirmohen. Marchisio ka kohë që është konfirmuar. Ai nuk do ta pranojë kurrë këtë, jo tani. Por shokët e ekipit e dinë tashmë. Ndoshta edhe Marcello Lippi. Ka shumë mundësi që mesfushori juventin të jetë pjesë e kombëtares së Italisë në Botërorin e Afrikës së Jugut. Ndërkohë, ka bërë punën e tij, një tjetër gol, një tjetër goditje që vlen tri pikët. Ka qenë nata e Marchisios, i cili në fund të ndeshjes ka thënë: “Jam shumë i lumtur për golin, ishte shumë e rëndësishme të fitonim, duhet të vazhdojmë në këtë rrugë. Diferenca është e madhe, por edhe Interi në këtë periudhë ka shumë ndeshje për të zhvilluar. Mendoj se nuk është mbyllur akoma asgjë dhe duam të luftojmë deri në fund”. Një gol dhe disa shqelma, sepse kjo është në thelb jeta e mesfushorit. Marchisio shpjegon: “Në fund kam bërë një ndërhyrje të keqe ndaj Lavezzit, por kisha një muaj që nuk luaja si titullar me ekipin dhe lodhja është ndier. Sidomos në pjesën e dytë, kur në mesfushë kemi mbetur tre lojtarë, unë dhe Poulsen kemi vrapuar shumë. Në minutat e fundit të takimit ka pasur pak nervozizëm në fushë, dhe arbitri ka gabuar në disa vendime”. Kapitull i mbyllur, dhe mesfushori shikon përpara: “Në fillim duhet të mendojmë për Lazion dhe pastaj për Chelsean. Juventusi ka gjithçka që nevojitet për ta kthyer rezultatin e Londrës”, ka përfunduar Marchisio.

Nuk ka komente: