e hënë, 2 mars 2009

Ranieri: Titulli? Gjithçka është e hapur

Trajneri bardhezi beson akoma tek titulli kampion, pas fitores së arritur kundër Napolit

Një fazë më vonë gjithçka rikthehet në vendin e duhur. Napoli i “San Paolo”-s, që kishte shkatërruar bardhezinjtë është kthyer në një skuadër normale, madje, në krizë të plotë, ndërsa Juvja vazhdon të ndjekë Interin në luftën për titullin kampion. Nuk është e lehtë për Buffonin me shokë të harronin ndeshjen e luajtur kundër Chelseat, të injorojë takimin e së martës në Kupën e Italisë kundër Lazios dhe të përqendrohej në një ndeshje të nevojshme për të përforcuar vendin e dytë në renditje. Duhej të ishte ndeshja ku do të vinte reagimi i Napolit, por vjen fitorja e radhës për Juven e Ranierit.

PROVAT PER CHAMPIONSIN - “Interi? Nesë iu pëlqen mund të themi se jemi akoma në garë për kampionatin dhe se asgjë nuk është mbyllur akoma. Kundër Napolit ishte e rëndësishme të fitonim për të rigjetur përqendrimin dhe vendosmërinë. Zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë, - ka thënë Ranieri -, më pas napoletanët kanë dalë në lojën e tyre. Buffon ka luajtur shumë mirë në pjesën e dytë. Ata kanë mbyllur hapësirat dhe janë përpjekur të na godasin me anë të kundërsulmeve, ndërsa ne jemi munduar ta kontrollojmë reagimin e tyre, por nuk ka qenë një punë e lehtë. Ka qenë shumë i rëndësishëm goli i Marchisios. Zëvendësimi i Del Pieros? Po acarohej me vendimet e arbitrit dhe kisha frikë se mos ndëshkohej”. Edhe lojtarët e përdorur në rotacion janë përgjigjur në mënyrën e duhur. Marchisio ka shënuar golin e tij të dytë në këtë sezon, edhe një herë tjetër vendimtar, Trezeguet i është afruar shumë golit, Poulsen në mesfushë ka bërë që të mos ndihet mungesa e Tiagos. “I duhen bërë komplimentat lojtarëve, të cilët kanë zëvendësuar për një kohë të gjatë kampionët për shkak të dëmtimeve, nga Marchionni tek Marchisio, nga De Ceglie tek Molinaro. Marchisio dhe Poulsen kanë bërë një punë të mirë në mesfushë”, ka thënë tekniku bardhezi. Por që tani në mendjen e juventinëve ndodhet ndeshja e kthimit me londinezët. “Chelsea është një skuadër e madhe, një nga favoritet për të fituar këtë kompeticion. Ne jemi të vetëdijshëm që do të jetë një përballje e vështirë, kemi humbur 1-0 në Londër, do të na duhet të japim maksimumin dhe të dalim nga fusha me kokën lart. Të fitojë më i miri? Shpresojmë që jo”.

PROBLEMET ME GJURIN - Ndërkohë, infermieria e bardhezinjve duhet të përballet me dëmtimin e radhës të Legrottaglies, i cili ka dalë nga fusha pas një përplasjeje me Buffonin, ku ka dëmtuar kurrizin dhe gjurin. Mbrojtësi puljez, që është i skualifikuar për derbin e së shtunës së ardhshme, do të ketë në dispozicion rreth dhjetë ditë për të rekuperuar në kohë për sfidën e kthimit me londinezët e Chelseat. “Mendoj se rezultati ka qenë i drejtë, edhe pse Napoli ka treguar diçka më shumë në pjesën e dytë”, ka qenë komenti i presidentit të Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli. “Duhet të përpiqemi të bëjmë sa më shumë pikë të jetë e mundur, pasi ndihmojnë për moralin dhe për klasifikimin pozitiv edhe në Champions kundër Chelseat”, ka deklaruar presidenti bardhezi.

Nuk ka komente: