e premte, 8 gusht 2008

Del Piero “mbret” në “Old Trafford”: Ky, EuroJuventus!

Kapiteni bardhezi është pritur me duartrokitje dhe kore nga tifozët e Manchesterit.
Mund të kishte “prenotuar” një gol në “teatrin e ëndërrave”, mund të kishte parashikuar një fitore të Juventusit të tij, mund të kishte pritur një paraqitje të mirë të tij, por kurrë nuk e kishte imagjinuar stadiumin “Old Trafford” të gjithin në këmbë në momentin e zëvendësimit të tij. Alessandro del Piero, për një natë, ka zënë vendin e Cristiano Ronaldos në Manchester, në sfidën e “Zonjës” me “Djajtë e kuq”, një miqësore lluksi e cila ka dhuruar emocione, edhe pse kanë munguar gol, në një barazim të “thatë”. Një provë e mirë e bardhezinjve, por sidomos e kapitenit, i cili ka magjepsur që në fillim, duke bërë një kthesë nga ato të tipit “Pinturicchio”... Dhe, të gjithë duke duatrokitur, fëmijët e vegjël anglez duke i kërkuar autografe. Dhe, ka një arsye pse ekipi i Fergusonit zgjodhi Juven për të festuar titullin dhe Champions League e fituar sezonin e shkuar. Pra, një “ftesë” kjo e cila i ka dhënë mundësi “Zonjës” që të futet në “skenën” europiane dhe të luajë me kampionët në fuqi... Por, përpara se të “fusë” këmbët në kompeticionin prestigjoz të kontinentit, duhet eliminuar Artmedia e Bratisllavës. Ndërkohë, fantazisti bardhezi “shijon” momentin e bukur që i dhuroi sfida në “Old Trafford”: “Një tjetër miqësore lluksi, por që këtë herë ka qenë edhe më e rëndësishme, pasi luanim me kampionët e Anglisë dhe të Europës, në një stadium magjik dhe përpara një publiku të zjarrtë. Mendoj se paraqitja jonë ishte e mirë dhe treguam se jemi rritur shumë në krahasim me miqësoret e para. Tani e dimë se cilat janë kufinjtë tanë dhe se deri ku mund të mbërrijmë. Duke ecur përpara me këto luhatje kemi kuptuar se duhet më shumë për të arritur formën, por jam i sigurt se që tash e tutje do të flitet për një EuroJuventus. Turi paraeliminator duhet të jetë në rend të ditës dhe duhet të përqëndrohemi në sfidën me Artmedan. Eshtë një kundërshtar jo i vështirë, por ne s’duhet të nënvlerësojmë në asnjërën nga të dy sfidat”, tha “Pinturicchio”, i cili i pyetur më pas në lidhje me stadiumin dhe emocionet që ndjeu në momentin e duatrokitjeve, gjatë zëvendësimit të tij, tha: “Eshtë një kënaqësi e madhe, sepse të shohësh fëmijë, pleq dhe mosha të tjera të të dhurojnë një pritje të tillë është me të vërtetë diçka magjike. I falenderoj të gjithë, pa asnjë përjashtim. Këtë vit shpresoj të jap edhe më shumë se sezonin e shkuar”.

Nuk ka komente: