‘Mungesat s’më shqetësojnë, por kërkoj impenjim maksimal’
Në vigjilje të përballjes me Artmedian e Bratislavës, e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, Claudio Ranieri karikon Juventusin. “Shoqëria, lojtarët, por veçanërisht tifozët tanë, e presin këtë moment që prej dy vjetësh. Ne jemi gati, por për të fituar sfidën do të na nevojitet Juventusi më i mirë i momentit. Jemi të vendosur të mos dështojnë në objektivin tonë të parë të rëndësishëm. Për shumë prej djemve të mi, sfida e ditës së sontme kundër Artmedias është kurorëzimi i dy viteve të lodhshme stërvitjeje. Kemi shansin më të mirë për t’u rikthyer në Ligën e Kampioneve, një kompeticion ky që është në ADN-në e kësaj shoqërie, edhe pse i respektojmë në maksimum kundërshtarët tanë”, shprehet kreu i pankinës bardhezi. Pavarësisht se në letër, formacioni torinez duket shumë i favorizuar kundrejt kundërshtarëve sllovakë, në tonet e Ranierit vërehet një shqetësim i vogël për këtë përballje, si rrjedhojë e mungesave të shumta me të cilat Juventusi do të zbresë mbrëmjen e sotme, ora 20:45, në “Olimpicon” e Torinos. “Ju mund të mendoni se mungesat më shqetësojnë, por në të vërtetë nuk është kështu. Kemi një grup shumë të përgatitur lojtarësh; madje dhe ata që formojnë pankinën tonë janë në të njëjtin nivel me titullarët. Fatkeqësisht, dje, përveç Cristiano Zanettit e Marco Marchionnit është ndalur edhe Pavel Nedved. Ende nuk e kam vendosur se me cilin lojtar do ta zëvendësoj çekun, pasi për të qenë i sinqertë nuk e kam caktuar akoma formacionin me të cilin do të zbresim në fushë kundër Artmedias. Një vendim të tillë do ta marr vetëm pak orë përpara fillimit të takimit. Nga të gjithë lojtarët që do të zbresin në fushë, pretendoj impenjim maksimal dhe përsëritjen e paraqitjes së zhvilluar në miqësoren ndaj Manchesterit. Nuk duhet të mendojmë se kualifikimi është i yni, pasi në futboll çdo gjë është e mundur. Nga ana tjetër, edhe ne nuk duhet të nxitohemi për të shënuar, pasi përveç ndeshjes së sontme na presin edhe 90 minuta të tjera në Sllovaki”, përfundon drejtuesi i stolit bardhezi, Claudio Ranieri.
e mërkurë, 13 gusht 2008
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment