e mërkurë, 6 gusht 2008

Nedved: Juve, ruaj qetësinë

“Pavarësisht humbjes me Hamburgun, besoj se ekipi është në një formë të mirë. Më vjen keq që u dëmtua Molinaro dhe Knezevic”. Pavel Nedvedit i vjen keq për atë që ndodhi ndaj Hamburgut, një humbje e cila nuk pritej, pikërisht në momentin më të mirë të fazës përgatitore bardhezi, në prag të ndeshjes së parë në turin paraeliminator të Champions League. Mesfushori bardhezi e analizon kështu humbjen me gjermanët: “Deri përpara kësaj sfide, gjërat kishin shkuar mirë, por më pas erdhi kjo humbje, por sidomos dëmtimet e Knezevicit dhe Molinaros, që kanë prishur humorin. Kjo nuk na duhej, sepse këto mungesa e pengojnë trajnerin që të punojë dhe të provojë skemat e reja”. Fatmirësisht, shorti i Champions League do të vendosë përballë Juventusit një kundërshtar jo konkurrues. Nedved bashkohet me këtë ide, por fton të gjithë që të mbajnë përqëndrim e lartë, sepse “futbollit nuk i dihet!”. Pavel shtoi: “Na shkoi shumë mirë, sepse nuk do të na duhet që të luajmë ndaj Atletico Madridit apo Galatasarayit. Jam i kënaqur që shmangëm edhe Sparta Pragën, skuadrën time. Por, nuk mendoj se do të jetë e lehtë, sepse Artmedia është një kundështar që mund të na krijojë rreziqe, edhe pse nëse luajmë si Juventus, e sigurtë që do të kalojmë. E rëndësishme është që të ruajmë qetësinë”. Ndërkohë, po afron miqësorja e lluksit, në “Old Trafford”, me Manchester Unitedin: “Të luash në një stadium si ai do të jetë një emocion i bukur, sidomos për mua që përpara pesë vjetësh isha i detyruar që ta ndiqja ndeshjen finale të Champions League, ndaj Milanit, nga tribuna, sepse isha i pezulluar për shkak të kartonit të marrë në gjysmëfinale, ndaj Realit. Më vinte shumë keq që nuk isha në atë teatër futbnolli. Por, shpresoj gjithashtu që të mos jetë ndeshja ime e vetme në atë stadium, por të kthehem, ndoshta gjatë sezonit...”. Një mesazh i qartë: Juventusi do të synojë Champions dhe një sfidë me Manchesterin.

Nuk ka komente: