e premte, 8 gusht 2008

Van der Saar: Juventusi, i fortë sa Manchesteri

Vite më parë u largua nga Torino me etiketën e një portieri aspak të denjë për Juventusin, ndërkohë që vetëm një sezon më parë, Edvin Van der Saar shpallet kampion Evrope me Manchester United. Portieri holandez është një ndër pikat më të forta të formacionit të Sir Alex Ferguson, ashtu siç tregoi edhe në miqësoren e dy ditëve më parë kundër ish-skuadrës së tij. Pavarësisht se për italianët, Van der Saar ishte thjesht një pasagjer në Serinë A, për mbrojtësin ekstrem, aventura torineze mbetet ende si një ndër më të rëndësishmet e karrierës së tij. “Ishte shumë bukur të rikthehesha të luaja ndaj Juventusit. Takova disa prej shokëve të mi më të mirë dhe jam vërtetë i lumtur për këtë. Edhe se nuk arrita të fitoja asgjë gjatë aventurës sime në Torino, Juve mbetet një ndër zgjedhjet më të rëndësishme të karrierës sime. Nuk më intereson aspak nëse dikush nuk më quante të denjë për atë fanellë, pasi unë në çdo ndeshje kam dhënë maksimumin tim. Juventusi? Vazhdon të mbetet një ndër skuadrat më të forta në botë, gjë që e tregoi edhe në sfidën ndaj nesh. Jam shumë i sigurt se vitin e ardhshëm do të jenë pjesë e Ligës së Kampioneve dhe shpresojmë që të kemi fatin të përballemi me ta në një fazë të rëndësishme të kompeticionit. Duke parë paraqitjen e tyre në miqësoren e dy ditëve më parë, jam i bindur se bardhezinjtë nuk qëndrojmë prapa askujt prej skuadrave të tjera pjesëmarrëse në kompeticionin evropian, madje as pas Mançesterit”, thotë portieri holandez i Manchester United, Van der Saar.

Nuk ka komente: