e premte, 15 gusht 2008

Del Piero: Shfryva dufin për 2 vite vuajtjeje


Kapiteni i Juventusit shënoi një eurogol ndaj Artmedias dhe kandidon sërish për një fanellë në kombëtare. Dikush dërgonte një puthje, dikush tjetër një lule, ndërsa disa të tjerë prenotuan abonimin. Juventusi e ka siguruar kthimin në Champions. Nata e parë në Europë ka qenë ajo e kampionëve të zakonshëm. Gjithçka përmblidhej nga grushti që rrahu mbi kraharor Del Piero. Kjo ndodhi, pasi topi sapo kishte vizatuar një hark në qiell dhe shkoi aty ku kryqëzohen shtyllat. Asisti ishte një “mur” i Trezeguet. Francezi nuk shënon, por të paktën një merak e hoqi: ai refuzoi ftesën për t’u grumbulluar në kombëtare, që i mbërriti përmes një telefonate nga ana e Domenechut. Ndërsa Del Piero vazhdon të luftojë për një vend në kombëtare dhe duket se Lippi do ta thërrasë edhe për miqësoren e 20 gushtit. Ndërkohë, ai shënoi golin e 2 0-s, që ishte i 45-ti nëpër Kupa për të. Historia e tij europiane nisi më 14 marsin e 13 viteve më parë. Juventusi priste Eintrachtin e Frankfurtit në Kupën UEFA, dhe në atë rast Del Piero shënoi golin e tij të parë në Europë. Dhe që atëherë nuk është ndalur më. Por goli ndaj Artmedias kishte një shije krejt të veçantë. Sepse vërtet shifrat mund të ndihmojnë për të rrëfyer disa histori të caktuara, ama disa filmime i shpjegojnë më mirë gjërat. Grushtet që rrihen mbi gjoks e tregojnë më qartë krenarinë dhe mllefin e bartur. “Po, në atë festim kishte edhe pak inat. Të gjithë e dinë atë që kemi hequr në këto dy vite. Ndihem i kënaqur për golin dhe për rezultatin, por tani kemi edhe ndeshjen e kthimit. Në këto dy vite kemi vuajtur duke e parë Championsin nga ekrani, ndaj tani duhet të luajmë mirë edhe në Bratisllavë, që të shkojmë në Europë sa më shpejt të jetë e mundur.”
KUPA - Për këtë arsye të gjithë e duan kupën, të cilën te bardhezinjtë e ka fituar vetëm Del Piero. Këtë e tha i pari presidenti Cobolli Gigli: “Nëse do të më duhet të zgjedh midis titullit dhe Championsit, do të zgjedh të dytën, na tërheq më shumë.” Edhe Mauro Camoranesi e konfirmoi: “Më mirë kupën.” Kështu që, për ta bërë të mundur një gjë të tillë, italo-argjentinasi po përpiqet të bëjë pak nga të gjitha. Ai e zhbllokoi rezultatin pas 8 minutave lojë. Juvja kishte veshur fanellat e arta për këtë sfidë dhe anësori i djathtë kontribuoi edhe në aksionin e golit të tretë.
Azzurro notte - Bëhej fjalë për një goditje standarde, e cila u devijua në zonë me kokë nga Chiellini. Ky ishte goli i 3 0-s, Giorgio shënoi dhe e falënderoi. Ai i bëri me shenjë mikut Camoranesi se i dha një top të artë. Por, a mund të mjaftojë kjo? As që bëhet fjalë, “kur shënoi ai, pse të mos shënoj edhe unë”, do të ketë menduar me vete Legrottaglie, kështu, edhe ai shënoi golin e 4-0-s. Del Piero në atë pikë kishte disa minuta që ishte zëvendësuar, për të parë se cili është efekti që mund të ketë Amauri në Champions dhe për të parë se si do ta përshëndeste publiku, që mezi e pret kthimin në Champions dhe që këndonte: “Ranieri na ço në finalen e Romës.” Duke ëndërruar finalen e Ligës së Kampioneve, kampionët e zakonshëm dhe mjeshtri i ekipit, i cili ka 13 vite që dhuron magji nëpër kupa. Kapiteni i Juves është gjithnjë i uritur për suksese.

Nuk ka komente: