e enjte, 14 gusht 2008
Juventusi krenaria e Italisë
Zonja e Vjetër mbrëmë e shkatërroi Artmedian me rezultat, 4-0, në ndeshjet kualifikuese të Ligës së Kampionëve, ndërsa e veçanta e kësaj është se të gjithë golashënuesit ishin italianë. Ekspertët në gadishull besojnë se elementi italian i Bardhezinjve është diçka për të cilën ata duhet të jenë shumë krenar. Ekzistojnë shumë gjëra të cilat janë gabim në lojën moderne, dhe njëra nga këto është mungesa e përgjithshme e identitetit kombëtar në shumicën e skuadrave më të mëdha evropiane. 66% e lojtarëve të Premier Leagues janë të huaj. Arsenali madje nuk ka asnjë lojtar në formacionin startues i cili është anglez, derisa të gjithëve u kujtohet ndeshja çerekfinale e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit, kur vetëm dy nga 22 lojtarët në fushë ishin anglezë. Me përjashtim të Manchester United, situata e tillë në Angli është vërtet për të ardhur keq, dhe cilido që e përkrah këtë veçori ka mungesë të identitetit kombëtar. Përderisa për një skuadër thuhet se është angleze, italiane apo spanjolle, duhet që së paku ta dëshmojë këtë identitet në prani të shumicës së lojtarëve vendorë. Nuk janë vetëm skuadrat angleze që karakterizohen me këtë fenomen. Interi është po aq keq sa Arsenali, dhe nuk përmban asnjë italian në formacionin startues, përveç Marco Materazzit (i cili shumë shpejt do të përjashtohet nga Mourinho) dhe të riut Mario Balotelli, i cili është i lindur në Itali por ka prejardhje ganeze. Dy gjigantët spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid, kanë vetëm nga katër spanjollë të cilët mund të konsiderohen si lojtarë të formacionit bazë. E njëjta gjë është edhe për Chelsean. I vetmi gjigant evropian i cili e ka ruajtur traditën dhe ka bërë një veprim të vetëdijshëm për ta ndërtuar skuadrën në saje të lojtarëve vendorë është Juventusi. Në ndeshjen e mbrëmshme Zonja e Vjetër luajti me shtatë italianë, derisa ky numër do të ishte edhe më i madh po të mos mungonte Cristiano Zanetti i lënduar, si edhe Sebastian Giovinco që gjendet në Lojërat Olimpike. Katër golashënuesit e Juves në fitoren 4-0 ishin italianë: Mauro Camoranesi (pavarësisht rrënjëve të tij argjentinase), Alessandro Del Piero, Giorgio Chiellini dhe Nicola Legrottaglie. Vetëm kjo statistikë tregon një veçanti kur krahasohet me skuadrat siç janë Inter, Arsenal dhe Liverpool. Kjo statistikë po ashtu sjell kujtime kur skuadrat evropiane, në fakt i përfaqësonin vendet e tyre. Juventus në vitin 1977 e ka fituar Kupën UEFA me 11 italianë. Kjo nuk do të thotë se lojtarët e huaj duhet të largohen nga skuadrat, përkundrazi lojtarët e huaj në skuadra të ndryshme ndihmojnë në përmirësimin e kualitetit të çdo lige ku luajnë. Mirëpo, është e rëndësishme që të respektohet tradita se ku bazohet loja e bukur e një skuadre të një shteti që i takon, ndërsa kjo është pikërisht ajo që Juventus e bën në saje të bërthamës italiane. Nëse Juventus do të ketë sukses në Ligën e Kampionëve, atëherë kjo do të jetë një vlerë shumë më e madhe për tifozët juventinë sesa po të luanin 11 të huaj. Në vitin 1967 Celtic e ka fituar Ligën e Kampionëve me 11 lojtarë të cilët kishin lindur në një diametër prej 48 kilometrash përreth Glasgout. Kjo paraqet një ndjenjë të krenarisë së madhe te mbështetësit e Celticut, meqenëse ata e dinë se diçka e ngjashme nuk do të ndodh kurrë më.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment