Si ta kishin bërë me fjalë, pronari i Juventusit dhe ai i Interit kanë thënë të njëjtën gjë, për sa i takon forcës së “Zonjës së Vjetër”. “Vjet kishim sulmin më të mirë në Itali, - është krenuar John Elkann në Villar Perosa, - dhe tani e kemë përforcuar atë me Amaurin.” “Juvja kishte një sulm të madh dhe tani i ka shtuar edhe Amaurin,” - nënvizoi, po të shtunën, Massimo Moratti. Ky është një vlerësim i bazuar te shifrat. Me brazilianin (shënoi 15 gola sezonin e kaluar te Palermo) dhe Giovincon (6 gola tek Empoli), që u janë shtuar 49 golave të realizuar nga Del Piero (21), Trezeguet (20) dhe Iaquinta (8), Ranieri ka repartin sulmues më të fortë, jo vetëm të Italisë, por edhe të Europës: plot 70 gola, të gjitha të shënuara në Serinë A.
PËRPARA MESSIT E RONALDOS - Vetëm sulmuesit e Milanit dhe të Mancheste Unitedit kanë shënuar më shumë në kampionatin e kaluar. Por Milani ia del mbanë me 8 lojtarë (duke llogaritur vetëm 5 të parët, si Juvja, arrin në 67), ndërsa 15 prej 77 golave të “djajve të kuq” i ka shënuar Freiser Campbell në kategorinë e dytë angleze me Hull Cityn. Të gjitha skuadrat e tjera të mëdha, nga Liverpooli (59) te Roma (37), në letër nuk kanë ndonjë sulm kaq të frytshëm, përfshi edhe Arsenalin, Interin, Realin, Bayernin, Lyonin dhe Barcelonën. Do të thotë se paketa sulmuese e Juves sheh nga lart-poshtë reparte të përbëra nga kampionë, si Messi, Cristiano Ronaldo, Ibrahimovic, Kakà, Totti, Benzema, Torres, Adebayor, Toni, Raul.
DEL PIERO NË POLE - Që Juventusi është skuadër me prirje sulmuese, kjo u kuptua nga fitorja 4-0 në takimin e parë zyrtar ndaj Artmedias. Por administrimi i kaq shumë golashënuesve është aq delikat, sa që Giovinco është kataloguar si mesfushor, pra si zëvendësi i Nedvedit, kur, në të vërtetë, është sulmues. Dhe merkatoja, gjithashtu është orientuar për t’i krijuar hapësirë aktivizimit të një tjetër sulmuesi në skemën 4 3 3, ndaj u mor një mesfushor, si Poulsen, në mënyrë që të mbulojë mirë boshllëqet. Megjithatë, si fillim do të luhet me rreshtimin 4 4 2; njëri prej dy vendeve i përket Del Pieros. Edhe pse nëpër miqësore nuk ka shënuar asnjë gol, Alexi deri tani ka treguar se është lojtari më në formë nga 5 sulmuesit. Aq e vërtetë është kjo, saqë ai ishte sulmuesi i vetëm që shënoi në takimin e parë zyrtar. Ndërsa ai që ka shënuar më shumë, Amauri (9 gola, prej të cilave 5 ndaj Mexokoronës, 1 ndaj Brondbyt, 1 ndaj B. Dortmundit dhe 2 ndaj Juves B), nuk është ingranuar ende mirë në mekanizmat sulmuese të skuadrës së re. Braziliani është në “luftë” për një vend me Trezeguet dhe Iaquntën, të cilët s’janë ende në formën më të mirë. Por duhet pasur parasysh edhe Giovinco, i cili sapo i është bashkuar grupit me entuziazmin e Lojërave Olimpike dhe në fillimin e kampionatit mund të shkëlqejë me gjendjen e tij fizike, duke qenë se është tejet më i përgatitur se të tjerët.
Një gjë të tillë e nënvizoi John Elkanni dhe e konfirmoi edhe Moratti. Me ardhjen e një golashënuesi si Amauri, reparti sulmues i bardhezinjve është bërë i frikshëm.
Nuk ka komente:
Posto një koment