e hënë, 11 gusht 2008
Juvja, nën ethet e Champions-it
“Zonja e Vjetër” rikthehet të luajë në këtë kompeticion pas një mungesë dyvjeçare. Të mërkurën, skuadra e trajnerit Ranieri do të presë në Torino sllovakët e Artmedias. Emocionet e mëdha të futbollit evropian startojnë në këtë mesjavë. Juventus, Fiorentina, Barcelona e Liverpool bëhen gati të sigurojnë pjesëmarrjen e tyre në kompeticionin më të rëndësishëm për klube të kontinentit të vjetër. Ditën e mërkurë, djemtë e Claudio Ranierit do të zbresin në fushë në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Kampioneve pas një mungese dyvjeçare, ose saktësisht pas 29 muajsh. Del Piero me shokë janë më të karikuar se kurrë për të fituar objektivin e parë të rëndësishëm për sezonin e ri futbollistik. Përballë bardhezinjve të Juventusit do të jetë Artmedia e Bratisllavës. Formacioni sllovak ka mbërritur me nder deri në këtë fazë të Ligës së Kampioneve, pasi në dy ndeshjet e mëparshme ka arritur të shënojë plot shtatë gola në 180 minuta kundër finlandezëve të Tamperes. Mirëpo, në këtë mesjavë, ata do të përballen me një prej formacioneve që kanë bërë historinë e Champions-it. “Zonja e Vjetër”, ndonëse do të ndeshet me një formacion në gjendje fizike maksimale, duke qenë se kampionati sllovak ka disa javë që ka startuar, në miqësoret e fundit ka treguar vlera të shkëlqyera tekniko-taktike, kjo falë edhe përforcimeve të rëndësishme të mbërritura në Torino gjatë merkatos verore. Claudio Ranieri, në bazë të takime të fundit miqësore të zhvilluara, duket se do t’i besojë edhe një herë tjetër gardës së vjetër të kësaj skuadre, që përbëhet nga Del Piero, Trezeguet e Camoranezi. Këtu bën përjashtim vetëm Cristiano Zanetti, i cili vazhdon ende të vuajë dëmtimin e tij, por që të zëvendësohet nga danezi i sapombërritur në Torino, Christian Poulsen.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment