e shtunë, 16 gusht 2008
Ranieri: Dua të fitoj sa më shumë me Juven!
Trajneri i bardhezinjve flet për skuadrën, për objektivat personale dhe për polemikat me Mourinjon Ai e ka hipotekuar paraeliminatoren dhe po pret të lexojë “Vetmia e numrave të parë”, libri më i shitur i verës, pak a shumë si Juventusi i tij. Mesi i gushtit e gjen Claudio Ranierin në pozitat e një trajneri të lumtur. Ai po lundronte larg polemikave, por edhe brigjeve të Riviera di Ponente, në detin Ligure. Ai hipi mbi varkë pasi kaloi shkëmbin e parë 4-0 ndaj Artmediës së Bratisllavës. Vera mund të vazhdojë, ndërsa polemikat me Mourinhon jo. Trajneri roman, i cili në Londër është gjithnjë si në shtëpinë e tij, e mbylli gjithçka me disa fjalë të një stili aq anglez, saqë edhe një anglez i vërtetë do të habitej. - Ranieri, u kthyet në Europë me një fitore. Cila ishte shija e asaj mbrëmjeje? - Jemi shumë të kënaqur për përgjigjen që ky grup kompakt ka ditur ta japë menjëherë. Treguam se jemi skuadra e vitit të kaluar, dhe se kemi të njëjtin shpirt. - Tani do të jetë më e vështirë? - Mbase, por ne jemi të ndërgjegjshëm se fitoret janë në ADN-në e Juventusit. Unë këtë ADN e kam përvetësuar menjëherë, ndërsa kampionët e mëdhenj të kësaj skuadre e kishin që më parë. Një vit më parë ishim në kërkim të gjithçkaje dhe nuk mund të krahasoheshim me asgjë. Sot kemi një skuadër, një grup kompakt, një lojë që funksionon. Donim nga dy lojtarë në çdo rol, dhe sot i kemi. - Në rregull, por mungon cilësia… - (Buzëqesh) Sërish me këtë histori? Fushata jonë e blerjeve kishte disa objektiva dhe këto objektiva u arritën. Dhe më pas e përsëris: të thuash se kjo skuadër nuk ka cilësi, është mungesë respekti ndaj kampionëve të saj. A e patë se çfarë bëri Del Piero? Po luan ndeshje të jashtëzakonshme, është i lehtë, gjenial, është si në kampionatin e fundit. Dhe jam i bindur se do të luajë edhe më mirë. - Duket se Lippi ka ndër mend ta grumbullojë në miqësoren e 20 gushtit… - Lippi është adhuruesi i tij numër një. Kemi folur, ai më shpjegoi se dëshiron të grumbullojë lojtarët më në formë dhe unë jam dakord, sepse më duket diçka e drejtë. - Në kombëtare mund të ndërtohet një grup i ri juventinësh: Buffon, Camoranesi, Del Piero, Chiellini, Iaquinta. A mund të përmendni ndonjë emër tjetër? - Nuk dua të hyj në kompetencat e Marchelos, por them se grumbullimi i Legrottaglies ose i Molinaros do të më gëzonte shumë. - Kjo Juve është më e fortë se një vit më parë? - Po. E dimë se jemi përmirësuar, por dimë edhe se duhet të vazhdojmë të bëjmë progres. Kampionati i ri dhe kthimi në Europë do të na mësojnë gjëra të reja. E dimë se jemi duke realizuar një projekt dhe se mund të fitojmë, edhe pse s’do të jetë e lehtë. Por s’do të jetë e lehtë as për të tjerët. - Ndërkohë, presidenti Cobolli tha se i pëlqen më shumë Championsi… - (Qesh) Presidenti është njeri dhe tifoz i jashtëzakonshëm. Ëndrrat ndihmojnë në krijimin e atmosferës së duhur. Ne duam të ëndërrojmë, por nuk duam të krijojmë iluzione, sepse nuk do të ishte e drejtë. Dhe mes tyre ka goxha ndryshim: iluzionet bëhen me fjalë, ndërsa ëndrrat mund të realizohen me vullnetin për të dhënë gjithnjë maksimumin. - A do të fitoni ndonjë gjë, përpara se të mbushni 70 vjeç? - (Qesh) Kam kohë, sepse mbush 57 vjeç në tetor. - Mourinho tha se jeni 70 vjeç, dhe se… - As që mos u lodhni! Për këtë gjë është folur edhe më shumë sesa duhet. - A do t’ju kishte pëlqyer të luanit te ky Juventus? - Ku ta gjeja! Kam luajtur disa ndeshje në Kombëtaren B me Tardellin. Ai po, që ishte kampion i lindur, dhe në fakt arriti të luajë te Juventusi. Ndërsa unë nuk isha aq i zoti. - Mund të merrni revansh tani që jeni trajner… - Do ta doja me të vërtetë, dua të fitoj ndonjë gjë të rëndësishme me Juventusin. - Po më pas, çfarë do të bëni? - Do të më pëlqente të drejtoja ndonjë ekip kombëtar. E kisha menduar këtë edhe kur mbeta një vit e gjysmë pa punë. Por asokohe isha tepër i ri. Tani dua të fitoj me Juventusin, dhe më pas le të shohim. Natyrisht, e gjithë kjo përpara se të mbush 70 vjeç.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment