e enjte, 14 gusht 2008

Del Piero: Të mbetemi të fokusuar

Kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero, thotë se ai dhe bashkëlojtarët e tij duhet të mbeten të përqendruar për ndeshjen kthyese në Ligën e Kampionëve kundër Artmedia, pavarësisht fitores së mbrëmshme me rezultat të thellë, 4-0. Bianconerët i shkatërruan kundërshtarët e tyre sllovakë mbrëmë në Torino dhe tanimë janë me një hap në fazën e grupeve. Ikona e Juves bëri një paraqitje të shkëlqyer duke qenë padyshim lojtari më i mirë i ndeshjes, dhe arriti ta shënojë një gol të bukur në minutën e 26. Megjithatë Alex kërkon nga të gjithë që të mos gëzohen para kohe dhe të përgatiten mirë për ndeshjen e kthimit. “Kemi luajtur një ndeshje të mirë dhe nuk na mungonte asgjë. Kemi krijuar shumë mundësi në sulm dhe nuk kemi rrezikuar në mbrojtje”. “Jemi të kënaqur, mirëpo nuk duhet të mendojmë tepër për këtë rezultat, duhet të vazhdojmë të përgatitemi për ndeshjen e kthimit. Katër gola ndoshta janë mjaft për të vazhduar më tutje, por për ta arritur këtë ne duhet ta luajmë ndeshjen me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri”, ka deklaruar ‘Djaloshi i Artë’.

Nuk ka komente: