e hënë, 4 gusht 2008

“Kujdes Juve! Pa Champions vuan!”

Kapiteni bardhezi kërkon impenjim maksimal në kualifikuese.
“Giovincos i uroj të bëhet edhe më i mirë se Messi, ne do ta ndihmojmë për këtë. Unë si Zola? S’e di në do të luaj deri 38 vjeç”
Nuk është ende çasti për të dëgjuar himnin e Champions League, por për Ales Del Pieron kjo nuk do të thotë që Juventusi duhet ta stakojë trurin. Tani që ka njohur kundërshtarët e mundshëm në fazën e tretë kualifikuese, që do të sjellë edhe grupet, idhulli bardhezi kërkon përqendrim maksimal nga të gjithë, për të mos bërë ndonjë shaka, sepse e ka vuajtur ndoshta më shumë nga të gjithë ndëshkimin e Juves dhe mungesën e saj në kompeticionin madhor të kontinentit.
Pasi keni punuar për dy javë me këtë grup, çfarë ideje keni krijuar për Juventusin?
Përshtypjet i kam të mira, kanë mbërritur lojtarë cilësorë dhe do të jenë të rëndësishme motivimi, por dhe objektivat.
Juventusi në fakt është dukur më e motivuar se sa vitin e kaluar, të paktën nga miqësoret e deritanishme.
Ndeshjet kundër Milanit dhe Interit nuk janë vetëm miqësore, sepse dëshiron gjithmonë të fitosh ndaj tyre, mirëpo nuk duhet harruar edhe fitoret ndaj Borussia Dortmund, Brondby si dhe Arsenal, si dhe humbjen ndaj Hamburgut. Por edhe brenda grupit kemi konkurrencë, sepse duam të fitojmë të gjithë një vend. Jemi shumë, por ky është një stimul.
Personalisht si ndiheni?
Jam mirë, nuk ka pasur asnjë shqetësim muskular, problemet që më dilnin shpesh tani janë zhdukur. Nuk më dhembin më as tendinat, për shembull. E nis këtë sezon me shumë dëshirë dhe jam i lumtur që bëj pjesë në një skuadër të tillë.
Si e shihni skuadrën në prag të provës Champions?
Deri tani mirë, por kemi edhe disa miqësore të tjera në të cilat do të bëjmë nxemjen e duhur për t’u futur në atmosferën europiane.
Jo për fajin tuaj, keni kaluar dy vjet duke parë të tjerët të luajnë në Europë. Mendoni se keni bërë një sakrificë?
Champions League më ka munguar shumë, është një kompeticion tërheqës, sepse përballesh me lojtarët më të mëdhenj në qarkullim. ? Faza kualifikuese është vetëm aperitivi. Pasi u njohët me shortin, u çliruat disi psikologjikisht, duke parë dhe kundërshtarin që mund t’ju bjerë?
Do të çlirohem pasi të jemi kualifikuar.
Të gjithë janë shumë kureshtar për dyshen Del Piero-Amauri. Por deri tani eksperimentet e Ranierit kanë qëndruar të fshehtë. A merreni vesh mirë me brazilianin?
Nuk do të mungojnë rastet për të luajtur bashkë. Kur dy lojtarë i duan të mirën skuadrës së tyre, do ta gjejnë fjalën e përbashkët. Amauri duhet vetëm të përshtatet mirë me realitetin e ri, por e ka të gjithë kohën në dispozicion për ta bërë.
A mund të bëhet Giovinco Messi i Italisë?
Nuk e di nëse do të bëhet si ai, apo më i mirë, por ia uroj. E sigurt është që ka treguar shenja të mira dhe ne do të bëjmë gjithçka për ta ndihmuar.
Mendoni se ky Juventus i ka mjetet për të synuar majat në Europë dhe në kamionat?
Nuk e kuptova mirë pyetjen (qesh). Pa shaka, kemi një grup të madh, por dihet që do të jetë fusha gjykatësi kryesor. Trajneri dhe klubi kanë bërë përforcimet maksimale me mundësitë që kishin.
Ranieri iu ka krahasuar me Zolën. Jeni i bindur që mund ta thyeni rekordin e tij të ndeshjeve, duke luajtur deri 38 vjeç?
38? Nuk di ç’të them, të shohim. Tani shoh të tashhmen, kemi kaq shumë impenjime sa që nuk ka kuptim të mendoj se kur do ta lë futbollin.

Nuk ka komente: