e hënë, 11 gusht 2008
Del Piero, “mbreti” i Evropës
Simboli i skuadrës bardhezi rikthehet në Champions me objektivin e arritjes së 50 golave. Ndaj Artmedias, kapiteni i “Zonjës së Vjetër” do të fillojë sezonin e tij të 16-të. Alessandro Del Piero, akti i 16-të. Kapiteni i skuadrës së Juventusit, të mërkurën kundër Artmedias së Bratislavës, ndeshje e vlefshme për turin e tretë eliminator të Ligës së Kampioneve, pret të fillojë sezonin e tij të 16-të me fanellën bardhezi. Alex do ta nisë aventurën e tij të radhës jo vetëm si simboli i kësaj skuadre, por edhe si rekordmeni i saj, ku momentalisht numëron 560 ndeshje zyrtare me këtë fanellë, në të cilat ka arritur të realizojë edhe 241 gola. Gjithsesi, më shumë se fillimi i kampionatit italian, numri 10 i formacionit torinez është mjaft i ekzaltuar për rikthimin e tij dhe të skuadrës që ai përfaqëson në arenën evropiane, konkretisht në Ligën e Kampioneve, një kompeticion ky, ku ai dhe Juventusi mungojnë tashme prej dy vitesh. Ashtu si vera, edhe “Pinturicchio” me kalimin e viteve bëhet edhe më i mirë. Këtë e konfirmon edhe miqësorja e fundit e zhvilluar nga Juventusi në “Old Trafford”, përballë “djajve të kuq” të Sër Aleks Fergusonit. Kapiteni ishte padyshim protagonisti kryesor i këtij takimi, sepse me magjitë e tij ka ekzaltuar tifozerinë pjesëmarrëse në stadium. Spektakli i ofruar prej tij është shpërblyer me një “standing-ovacion” nga ana e anglezëve të pranishëm në shkallët e “Old Trafford-it”, të cilët e kanë duartrokitur 33- vjeçarin italian, aq sa edhe vetë ai, njeriu i rekordeve, nuk i mbajti dot lotët. Pikërisht për këtë arsye, Del Piero kërkon të rikthehet më i fortë se kurrë në Ligën e Kampioneve, madje duke i vënë edhe një tjetër objektiv personal karrierës së tij të pasur, arritjen e kuotës së 50 golave në këtë kompeticion. Aktualisht janë 37 topat e dërguar në rrjetat evropiane nga numri 10 i Juventusit, me një mesatare prej 0.47 golash në ndeshje (kur kujtojmë që janë 79 takimet e zhvilluara prej tij në Ligën e Kampioneve dhe 106 të tilla në arenën evropiane, ku përfshihet Champions-i, Kupa UEFA, Intertoto, Kupa Interkontinentale dhe sigurisht Superkupa e Evropës). Sfida e fundit e “Pinturikios” në Ligën e Kampioneve duket shumë e largët, saktësisht më 7 mars të vitit 2006, e zhvilluar ndërmjet Juves dhe Werder Bremenit, që përfundoi me rezultatin 2-1 për bardhezinjtë, e vlefshme për 1/8 e finaleve. Nga ajo ditë kanë kaluar saktësisht 29 muaj dhe Del Piero është ende aty ku kërkon me ngulm një tjetër rol si protagonist në skuadrën e Ranierit, ndonëse konkurrenca në repartin e sulmit është nga më të fortat në Serinë A e në Evropë. Thjesht për të konfirmuar këtë gjë kujtojmë që, Juventusi i sezonit të ardhshëm e nis me një sulm që vitin e kaluar ka arritur të shënojë plot 68 gola, Del Piero (21 gola), Trezeguet (20 gola), Amauri (15 gola) dhe Iaquinta (8 gola). Artmedia, rivalja e bardhezinjve në Champions, duhet të fillojë të dridhet.. Janë golat e Alesandro Del Pieros në Ligën e Kampioneve, me një mesatare prej 0.47 golash në ndeshje. Në kompeticione të tilla, Aleks ka arritur të shënojë edhe 2 gola në Kupën UEFA, 2 në Superkupë, 1 në Kupën Interkontinentale dhe 1 në Intertoto.
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment