e enjte, 11 shtator 2008

Chiellini: Pas Interit, ne dhe të tjerët

Qendërmbrojtësi i Juventusit “prenoton” kthimin që në ndeshjen e Championsit me rusët e Zenitit Ka nisur numërimi së prapthi për rikthimin e Giorgio Chiellini pas dëmtimit të pësuar gjatë trofeut “Berlusconi” ndaj Milanit. Mbrojtësi i Juventusit është që tani gati për Ranierin: “Gjurin e kam mirë. Do të jetë trajneri që do të vendosë nëse do të më aktivizojë që këtë të dielë ndaj Udinezes dhe për sa minuta, - tha Chiellini, që më pas cakton objektivat. - Shpresoj të jem në fushë që në ndeshjen e parë të Championsit kundër Zenitit, të gjithë janë të gatshëm ta luajnë një ndeshje të tillë. ”Përshtypja është që Chiellini do të luajë të paktën një pjesë loje të dielën në mbrëmje në “Olimpico” për t’u kthyer titullar me rusët javën e ardhshme. “Për mua nëse luaj, është gjithçka dhe shpresoj të jem patjetër, - theksoi 24-vjeçari, duke paralajmëruar më tej shokët për vlerat e skuadrës nga Shën Petërburg. - Janë “mina shpërthyese” e grupit, do të kisha parapëlqyer t’i shmangja në short. Do të jetë një ndeshje më e vështirë sesa me Realin e Madridit. ”Shumë tifozë e kanë ndjerë mungesën e Chiellinit, por ai nuk ndihet i pazëvendësueshëm: “Mendoj që Buffoni është lojtari i vetëm i pazëvendësueshëm në krahasim me të tjerët në rolin e tij. Ka hierarki, por të pazëvendësueshëm në skuadër nuk ka. Mendoj që qendra është roli im fiks, por duhet të përmirësohem shumë.” Për sa u takon objektivave të Juves, juventini i ka idetë e qarta: “Unë do të hiqja dorë nga shumë gjëra për të fituar Championsin, - shpjegoi ai. - Për ne që kaluam një vit në Serinë B, do të ishte e bukur nëse fitojmë Championsin, do të ishte çmimi i duhur për këtë punë të madhe. Kampionati? Forca e Interit është të ketë një organikë me 25 lojtarë shumë të fortë. Ne jemi përmirësuar, por në aspektin e organikës, jemi akoma larg zikaltërve. Ata nisen favoritë ndaj të gjithëve edhe këtë vit, por ndoshta mund të paguajnë pak periudhën e tranzicionit, me një trajner të ri që nuk e njohin. Pas Interit, ne, Roma, Milani, e Fiorentina jemi në të njëjtin nivel. ”Ndërkohë, pas barazimit në Firence, radhën e ka Udinezja, që vitin e shkuar i shkaktoi humbjen e parë bardhezinjve pikërisht në Torino. “Di Natale po përjeton një moment të shkëlqyer forme, - vijon Chiellini. - Shokët e mi duhet të përpiqen ta ndalojnë dhe ta ruajnë sa më mirë Antonion. Ai zakonisht sulmon nga e majta, ndaj për këtë, mbrojtësi dhe qendërmbrojtësi, duhet të bashkëpunojnë shumë.” Mbi kombëtaren, Chiellini komentoi: “Italia në gusht dhe në shtator ka vuajtur gjithnjë për shkak të gjendjes fizike jo të mirë. Mendoj se është normal një fillim i pasigurtë. Unë luajta shumë mirë në Europian, por tani shpresoj të kthehem në tetor dhe të rikonfirmohem.” Chiellini më pas minimizoi episodin që pa si protagonistë në stërvitje Nedvedin dhe Salihamidzicin, aktorë të nj dyluftimi jo korrekt: “Nuk ka asgjë të rëndë, - ia preu shkurt, - janë gjëra që ndodhin. Për ata, si ndeshje stërvitore, si Champions nuk ka shumë ndryshim: duam të fitojmë gjithnjë.”

Nuk ka komente: