e martë, 9 shtator 2008

Buffon do edhe kupën e 2010-s

Ndonëse gjendet në prag të ndeshjes së parë eliminatore për Kupën e Botës 2010, nuk është sfida me Qipron për të cilën përflitet Gianluigi Buffon, por për ofertën prej 70 milionë eurosh, bërë në adresë të tij nga pronari i ri i Manchester Cityt, Abu Dhabi. Mirëpo, kjo duket se nuk e shqetëson aspak portierin italian, aq sa ai e konsideron atë si fantazinë e radhës në merkato. “Besoj se shifra të tilla janë thjesht një fantazi e shtypit. Oferta prej 70 milionësh kundrejt meje nga Manchester City nuk ekziston. Nga ana tjetër, nëse një ofertë e tillë do të ishte e vërtetë, sigurisht që Juventusi duhet të fillonte ta merrte seriozisht atë, por jam shumë i sigurt se diçka e tillë nuk do të ndodhë”, deklaron Gianluigi Buffon. Duke lënë prapa thashethemet e fundit, mbrojtësi ekstrem i Italisë rikthehet të flasë për Kombëtaren: “Kemi rigjetur të njëjtin Marcelo Lippi të dy viteve më parë. Ai nuk ndryshon kurrë, me dëshirën e tij për të fituar. Nga ana tjetër, ne duam të hedhim pas krahëve paraqitjen jo të mirë të Evropianit, duke u përqendruar totalisht në këto eliminatore për të synuar denjësisht trofeun e Afrikës së Jugut 2010”. Ndërsa në lidhje me ndeshjen me Qipron, portieri i të kaltërve, Buffon, i ka idetë e qarta: “Shkojmë në Qipro për të marrë tri pikët, ndonëse nuk duhet të lemë pa përmendur klimën e vështirë sportive që ekziston atje, si dhe rritjen që ka pësuar futbolli qipriot gjatë viteve të fundit”. Një batutë të fundit, mbrojtësi ekstrem i përfaqësueses italiane dhe asaj të Juventusit, Gigi Buffon, e rezervon edhe për aventurën në Ligën e Kampioneve, që Juventusi do ta nisë pas dhjetë ditësh: “Nuk jemi të kompletuar për të synuar fitoren finale të Ligës së Kampioneve. Favoritet tashmë dihen se kush janë, por gjithsesi ne do të përpiqemi të shkojmë sa më larg që të jetë e mundur, pasi nuk do të jemi një kundërshtar i lehtë për askënd”.

Nuk ka komente: