e martë, 9 shtator 2008

Buffon: Ndaj Qipros toleruam shumë

Portieri i përfaqësueses italiane, Giangluigi Buffon, ka qenë padyshim lojtari më i mirë në fushë gjatë përballjes me Qipron, fituar nga të kaltrit me rezultatin e ngushtë 1-2, por mbi të gjitha në minutën e fundit të kohës së rregullt. Më mirë se ai mund të priste vetëm Zoti. Ja si e komenton Bufoni para gazetarëve “bombardimin” që iu bë portës së tij: “Nuk e kuptova nëse vraponin më shumë ata, apo ecnim ngadalë ne. Në aspektin fizik, kishte një dallim të madh ndërmjet nesh, për rrjedhojë ne e paguam shumë këtë gjë. Më pas erdhën ato dy dëmtime brenda 15 minutash, që komplikuan gjithçka në repartin e mbrojtjes për ne. Megjithatë, ajo ç’ka është më e rëndësishmja për momentin është që ne morëm tri pikët. Sa për aspektin fizik, ne mund të punojmë e të përmirësohemi gjatë ditëve në vazhdim”. Gardiani i portës italiane tregon se gjatë atyre 90 minutave kundër Qipros, është asfiksuar nga gjuajtjet e kundërshtarëve. Pikërisht falë mjeshtërisë së tij, vetëm një nga ato gjuajtje përfundoi në rrjetën e të kaltërve. “Nuk e mbaj mend se cila ishte pritja më e vështirë që kam kryer. Tani për tanie kam memorien shumë të ngarkuar. Por një portier duhet të jetë gjithmonë gati kur skuadra nuk është në një ditë të mirë. Pastaj, me mbrojtësit që Marcelo Lippi ka aktivizuar në fushë, nuk është se është punuar shumë”, tha numri 1 i Kampionëve të botës dhe Juventusit, Gigi Buffon. Më tej, portieri bardhezi fokusohet te skemat teknike të Lipit dhe aktivizimi i tre sulmuesve në fushë ndaj qipriotëve: “Mund të luhet me tre sulmues, por varet se sa të gatshëm e sa në formë janë ata për t’u kthyer në mesfushë apo mbrojtje. Dhe besoj se kjo ishte arsyeja pse Lipi vendosi të hidhte në fushë Gattuson, sepse mesa duket ka parë se sa shumë po vuante reparti i mesfushës. Gjendja jonë ndërsa luanim me Qipron ka qenë pak a shumë asfiksuese. Shikoja lojtarët që mezi vraponin e me zi merrnin frymë, si rrjedhojë edhe e temperaturave të larta me të cilat duhet të përballeshim. Por, fatmirësisht, arritëm të shënonim në minutën e fundit. Tani le të shikojmë përpara me shpresën që kundër Gjeorgjisë do të jemi më mirë fizikisht, sepse pikërisht këtu çaluam ndaj Qipros. Jemi Kampionët e botës dhe duhet t’u tregojmë të gjithëve se e kemi merituar plotësisht atë titull në Gjermani”.

Nuk ka komente: