e premte, 12 shtator 2008

Del Piero: Ndoshta do ta përfundoj karrierën jashtë

Alessandro Del Piero ka konfirmuar se Juventusi do të jetë e vetmja skuadër italiane ku do të luajë, mirëpo e ka lënë të hapur mundësinë për të luajtur jashtë Italisë para përfundimit të karrierës së tij. Del Piero është njëri nga lojtarët më të mëdhenj të Juventusit të të gjitha kohërave. Ai mban rekordin e paraqitjeve dhe rekordin e golave për Bardhezinjtë në historinë klubit. 33-vjeçari është i adhuruari i tifozëve juventinë në të gjithë globin, mirëpo para vazhdimit të kontratës vitin e kaluar pati një rrezik serioz për t’u larguar nga Torino, pasi që drejtori sportiv Alessio Secco dhe hierarkia e klubit kishin refuzuar t’ia jepnin pagën të cilën e kërkonte ikona e tyre. Megjithatë, në fund falë dashurisë të cilën e ka për klubin, Alex pranoi që t’i ulte kërkesat e tij dhe vazhdoi kontratën me klubin tij të zemrës. “Nëse do të kisha menduar vetëm për paratë nuk do ta kisha vazhduar kontratën. Disa herë vërtet kam menduar për t’u larguar nga Juve, por kjo zgjati shumë pak, dhe mendoj se ky do të jetë klubi im i fundit, së paku në Itali”, ka thënë kapiteni i Zonjës së Vjetër. Del Piero është konsideruar si njëri nga talentet më të mëdhenj në vitet e nëntëdhjeta, derisa në vitin 1998 së bashku me brazilianin Ronaldo konsideroheshin si lojtarët më të mirë në botë. Mirëpo për fat të keq, po të njëjtin vit, ai pësoi një lëndim të tmerrshëm në një ndeshje kundër Udineses, që pothuajse ia përfundoi karrierën sulmuesit italian. Nga ai moment, Del Piero nuk ka arritur më të jetë po ai lojtar sikurse para lëndimit, Ekspertët parashikojnë se po të mos i kishte ndodhur ai lëndim, ikona juventine do të ishte në majat e futbollit botëror, pavarësisht se edhe tani ai ka menaxhuar që të qëndrojë ndër më të mirët. “Momenti më i tmerrshëm në karrierën time ka qenë lëndimi në Udinë, në tetor të vitit 1998. Mirëpo, vdekja e babit tim dhe lufta e tij kundër sëmundjes, më bënë të kuptoj se në jetë ka gjëra shumë më të rënda se sa futbolli”, ka përfunduar Del Piero.

Nuk ka komente: