e premte, 20 mars 2009

Baptista sulmon Juven: Mbrohet nga arbitrat

Sulmuesi verdhekuq ka bërë deklarata të ashpra kundër rivalëve, me të cilët do të përballet në fundjavë

Nuk ka pasur kohë për t’u befasuar nga “aleanca e re” Juventus-Roma, që ka lindur nga sulmet e bëra nga Mourinho, pasi për të rindezur inatet e vjetra midis bardhezinjve dhe verdhekuqve, ka menduar Julio Baptista. Në një intervistë, sulmuesi brazilian ka sulmuar “Zonjën e Vjetër”, duke shpjeguar se “favoret e arbitrave nuk kanë të bëjnë vetëm me zikaltrit. Kam ndjekur katër herë Juventusin dhe kam parë gjëra të pabesueshme”. Më pas se cilat janë “gjërat e pabesueshme”, të cilave u referohet “Bisha” nuk është shumë e vështirë për t’u kuptuar. Sepse, edhe pse nuk i është referuar direkt atij takimi, duket e qartë se Baptista flet për ndeshjen e Bergamos kundër Atalantës dhe për pozicionin jashtëloje të Marchionnit në rastin e golit të parë të bardhezinjve. Ja çfarë ka thënë romanisti: “Një ditë do të dua të kuptoj se si mund të bëhet një gjë e tillë, ka vazhduar ai. Anësori ka qenë një hap larg një lojtari juventin që ishte në pozicion të dukshëm jashtëloje. Topi ka shkuar në këmbët e këtij lojtari në pozicion jo të rregullt dhe gjyqtari anësor nuk ka bërë asgjë. Nuk kam parë kurrë një gjë të tillë gjatë gjithë karrierës sime”. Mbaron me kaq? Jo. Baptista, ndoshta në mënyrë naive, vazhdon drejt në rrugën e tij dhe kritikon të gjithë sistemin e arbitrave italianë, por duke mohuar teorinë e “komplotit”: “Jo, këtë jo, ka thënë ai. Ndryshe do të ishte një skandal i madh. Futbolli nuk do të ishte më një gjë e bukur, por i manipuluar. Sigurisht: nuk kam parë kurrë gjëra të tilla në kampionatet e tjera, por nuk mendoj se gabojnë me dashje. Një gjë është të marrësh një vendim të gabuar në një situatë të vështirë, një gjë tjetër është të bësh gabime kur vendimet janë të lehta për t’u marrë. Ta shpjegoj: nëse një anësor shikon që një lojtar është në pozicion jashtëloje, është në një pozicion të mirë për të verifikuar këtë, pse nuk e ngre flamurin? Sepse, sipas mendimit tim, egziston një farë mbrojtjeje për ekipet e mëdha”. Midis të cilave, natyrisht, për brazilianin nuk është Roma e tij: “Absolutisht, Roma nuk është e mbrojtur, ka përfunduar ai. Përveç faullit me dorë të Mexesit kundër Udineses nuk ka marrë asnjë lloj ndihme”. Për pasojë ka ardhur edhe sulmi ndaj klubit verdhekuq, fajtor që pëson në mënyrë pasive gabimet e arbitrave: “Nuk duhet të jemi vetëm ne lojtarët që flasim për këto gjëra, duhet ta bëjë edhe klubi një gjë të tillë. Roma nuk ka folur akoma, por duhet ta bëjë. Sepse kur ndodhin disa gjëra të caktuara tek Reali i Madridit ose tek Barcelona, flasin të gjithë: skuadra dhe klubi. Nëse nuk je i bindur për gjërat që ndodhin rreth teje, duhet të ndërhysh me një komunikatë. Unë e pres një të tillë”. Këshilla për zonjën Sensi.

Nuk ka komente: