e enjte, 19 mars 2009

Gjobë për Trezeguet, sot paqja me Ranierin

Midis dyshes ka pasur shumë polemika gjatë kësaj jave, që pritet të sqarohen mesditën e sotme

Mungon firma, gjurma e këmbës së tij tek “Shëtitorja e Kampionëve”. Sa herë, duke shëtitur përgjatë vijës bregdetare të Monakos, Davidi ka ëndërruar të bashkojë këmbën e tij me atë të Zicos, Maradonas, Zidanet, Del Pieros dhe Nedvedit. Edhe dje, nën rrezet e diellit të parë pranveror në Montecarlo me gruan dhe dy fëmijët e tij, Aron dhe Noran, Trezegol nuk ka mundur të mendojë për gjë tjetër, duke shikuar gjurmët e kolegëve të famshëm, përveçse për rikthimin në shtëpi tek Juventusi i tij si dhe për takimin sqarues me Claudio Ranierin. Do të duhet të takohen për të bërë paqe, ose për të firmosur një armëpushim për ta mbyllur sa më mirë këtë sezon. Dhe të hedhin bazat për sezonin e ardhshëm, në rast se do të ndajnë të njëjtën dhomë zhveshjesh edhe vitin e ardhshëm. Debati me trajnerin bardhezi, të cilit nuk i kanë pëlqyer kritikat publike të lojtarit lidhur me zëvendësimin e tij në ndeshjen e Championsit kundër Chelseat, mund të përfundojë sot në mesditë në qendrën stërvitore të Juventusit. Me rifillimin e stërvitjeve, në “Vinovo”, është parashikuar edhe prezenca e administratorit të deleguar Jean-Claude Blanc për t’i kujtuar Trezeguet se Juventusi verën e kaluar ka besuar tek ai, duke i zgjatur kontratën deri në vitin 2011-të, por në të njëjtën kohë edhe se Claudio Ranieri është trajneri, tek i cili klubi do të mbështetet edhe për sezonin e ardhshëm. “Eleminimi nga Championsi ka sjellë pak zemërim dhe zhgënjim, por ka disa rregulla, që duhen respektuar dhe Ranieri ka bërë mirë, duke ia kujtuar këto Davidit”, kanë qenë fjalët e administraorit juventin, të cilit i intereson ta zgjidhë në mënyrën më të mirë këtë situatë, duke parë edhe mungesën e ofertave të majme në merkato për të shitur Trezegolin, një sulmues që ka një rrogë shumë të lartë dhe një sezon të djegur nga ndërhyrja e dyfishtë kirurgjike në gjunjtë e tij. Edhe Claudio Ranieri është i gatshëm të zgjasë dorën. Trajneri roman ka thënë fjalën e tij, i ka tërhequr vëmendjen Trezeguet publikisht, duke e quajtur “fëmijë i llastuar”, por është gati ta aktivizojë atë, duke filluar që nga ndeshja e së shtunës në mbrëmje kundër Romës, gjithmonë nëse e lejon shqetësimi i tij muskulor, qoftë ky diplomatik apo i vërtetë. “Për sa më takon mua çështja është e mbyllur. Nuk jam një trajner që mban mëri. Koret në stadium ishin të ndarë midis atyre që më mbështesnin mua dhe atyre që mbështesnin Trezeguet? Kështu është e drejtë, David është një kampion i rëndësishëm, - ka shpjeguar Ranieri -, ka bërë shumë për Juventusin, ka qëndruar me skuadrën në vitin e serisë B, por bën pjesë në një grup. Dhe disa gjëra duheshin saktësuar. Në të kaluarën kam pasur probleme edhe me Chiellinin dhe Tiagon, jemi ballafaquar dhe sot me ta kam një marrëdhënie të shkëlqyer”. Trezeguet në ndeshjen kundër Bolognas ka munguar edhe në tribunë. Në vendin e tij, i prenotuar për mamanë Beatrice e miqtë argjentinas, të cilëve u ka bërë të ditur mendimin e tij. Një slogan francez pro-Trezeguet me një pyetje: “David një kujtim? Faleminderit”. I ndarë edhe publiku, tifozët bardhezinj, edhe pse shumica mbështet Ranierin. Eshtë e sigurt gjoba për lojtarin: mbetet akoma për t’u caktuar shuma, që do të jetë në përpjestim me pagesën që merr futbollisti sipas rregullores së kodit të etikës, që ka vendosur klubi.

Nuk ka komente: