e shtunë, 28 mars 2009

Iaquinta: Gati të vë bast për Juven

Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, ka fituar një vend titullari në ekip gjatë këtyre javëve të fundit pas dëmtimit të Amaurit dhe zënkës së David Trezeguet me trajnerin Claudio Ranieri. Ai shënoi një dygolësh vendimtar në fundjavën e kaluar, teksa bardhezinjtë shkatërruan Romën 4-1 në stadiumin “Olimpico”, duke mbajtur gjallë shpresat për fitimin e titullit kampion të Serisë A. “Unë jam gati të vë bast se ne do ta fitojmë kampionatin" - ka thënë Iaquinta. Kemi besim dhe do të vazhdojmë të kemi deri në fund. Ky është mentaliteti ynë, e kemi në gjen si skuadër”. Mbi të gjitha, ky është një nga momentet më kulmor për vetë sulmuesin në planin personal: “Përsa më takon mua, unë jam i gatuar kështu: nëse luaj, ia dal gjithmonë të shënoj. Tani s’është koha për kontradikta. Unë e kam lënë pas atë ‘shpërthim’ që pata në Catania. Do të thosha se thjesht isha i inatosur, pasi kisha kaluar një kohë të gjatë në stol. Një kryengritje e tillë mendoj se është e natyrshme të ndodhë për çdo futbollist që dëshiron të luajë vazhdimisht. Ndihem më mirë tani dhe mund të them se e nisa me këmbë të mbarë ndeshjen e pestë në Romë”, ka vazhduar ish-lojtari i Udineses. Megjithatë, ai nuk ka ndërmend të ndalet me kaq: “Ranieri ka besim tek unë dhe mendoj se po ia shpërblej. Kurrë nuk u kam vënë veshin zërave që kërkonin largimin tim. E ardhmja ime është këtu… Kam ende për të dhënë dhe për të shënuar me Juventusin”. Luciano Spalletti, trajneri i Romës, disa kohë më parë ishte shprehur se problemi me Iaquintën është se nuk shënon gola aq sa duhet. Tani, tekniku i verdhekuqve me siguri që është penduar për atë deklaratë. Të shtunën, sulmuesi italian shënoi dy herë kundër Romës së drejtuar nga ish-trajneri i tij, duke marrë edhe një farë revanshi personal. Tashmë, ai po bëhet sulmuesi më stabël i Juventusit, pasi ka shënuar gjashtë gola gjatë nëntë ndeshjeve të këtij sezoni.

Nuk ka komente: