e hënë, 23 mars 2009

Juventusi “acaron” Luciano Spallettin

“Jam pak i acaruar për faktin se kemi humbur 4-1: ka pasur disa situata që nuk na kanë lejuar ta përgatisnim në mënyrën e duhur këtë ndeshje. Kam disa lojtarë në kushte jo të mira fizike”. Ky ka qenë komenti i Luciano Spallettit, për humbjen e pësuar në shtëpi kundër Juventusit. “Në rastin e golit të dytë, një devijim ka nxjerrë jashtë loje Mexesin, ka shtuar ai. Unë jam i zhgënjyer nga rezultati, më vjen keq për publikun tonë dhe për lojtarët. Kundërshtari ishte Juventusi, kishim një arsye të fortë për të dhënë diçka më shumë. Por, Juvja, ka merituar të fitonte dhe ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse të punojmë me kokën ulur”. Në fund: “Humbja të dhemb. Përgjigja që kemi dhënë në bazë të problemeve që kemi pasur nuk ka qenë e mjaftueshme. Megjithatë, objektivi ynë mbetet vendi i katërt”. Ndërkohë, presidentja e klubit verdhekuq ka deklaruar: “Shpresoja tek një fitore, por duhet pranuar, edhe pse rezultati 4-1 të dhemb”. Rosela Sensi nuk ka dramatizuar shumë situatën pas humbjes së rëndë të pësuar në “Olimpico” kundër Juves, por nga fjalët e saj, gjithsesi, kuptohet njëfarë shqetësimi për të ardhmen e Romës së saj dhe për objektivin e rëndësishëm Champions Ligë. “Me tri pikët gjithçka është e mundur deri në fund, të shpresojmë. E vetmja notë pozitive kanë qenë të rinjtë e shumtë që kanë zbritur në fushë nga sektori jonë i të rinjve. Ky është një lajm i mirë për ne dhe për të gjithë futbollin italian”.

Nuk ka komente: