e shtunë, 28 mars 2009

Buffon: Amauri i mirëpritur, Cassano detyrë e Lippit

Portieri i kombëtares “axurre” pret me krahët hapur sulmuesin brazilian

Në qendrën stërvitore të Italisë, e cila po përgatitet për ndeshjet eliminatore të Kupës së Botës kundër skuadrave të Malit të Zi dhe Irlandës, njeriu i ditës është portieri i Juventusit, Gigi Buffon. Ai ka prekur tema të nxehta, duke nisur nga fantazisti i Sampdorias Antonio Cassano dhe shoku i tij i skuadrës Amauri e deri te lufta për titull në Serinë A.

CASSANO ‑ “Do të ishte shumë i dobishëm për ne ‑ ka thënë portieri që deri tani ka zhvilluar plot 90 ndeshje me fanellën e kombëtares italiane në lidhje me sulmuesin e Sampdorias, por ai që vendos për këtë është Lippi. Nuk besoj se portat e kombëtares janë të mbyllura për ndonjë lojtar. Cassano në finalet e Evropianit luajti mirë dhe me formën e shkëlqyer që po kalon, do të ishte shumë i dobishëm për skuadrën. Por e përsëris edhe një herë tjetër për këto gjëra vendos vetëm trajneri”.

ÇËSHTJA AMAURI ‑ Buffoni prek edhe çështjen Amauri, duke hapur dyert e përfaqësueses për shokun e tij të skuadrës dhe duke dalë kundër mendimeve që janë shprehur disa ditë më parë nga mesfushori i Milanit Gennaro Gattuso dhe nga sulmuesi i Bayernit të Mynihut Luka Toni: “Nëse vendos të bëhet pjesë e grupit të axurrëve, do të jetë i mirëseardhur. Nëse na ndihmon të përmirësohemi, nuk do të ketë asnjë problem. Nëse vendos të luajë për Italinë, do ta bëjë sepse duhet ta ndiejë në zemër dhe për mua është i mirëseardhur nëse e ndien këtë. Shokët e skuadrës që kanë folur ndryshe ndoshta janë mërzitur sepse pritja po bëhet shumë e gjatë…”, ka deklaruar portieri bardhezi.

JUVENTUSI ‑ Portieri i Italisë më pas i kthehet edhe kampionatit dhe Juventusit të tij. “Mundësia jonë e vetme për të marrë kampionatin varet nga përballja direkte që do të zhvillojmë më 19 prill me Interin në fushën tonë. Mourinho është serioz dhe inteligjent, por nganjëherë e kalon kufirin. Mbi kolegët nuk mund të hidhet baltë”, ka thënë Buffon. Më pas ai i kthehet sërish temës së Cassanos, por në këndvështrimin e juventinit: “Për të fituar nevojiten kampionë, prandaj Cassano mund të jetë një lojtar i mirëpritur te ne. Sigurisht që do të na ndihmonte të përforcoheshim akoma më shumë për sezonin e ardhshëm”.

REDUKTIMI I RROGËS – Një temë tjetër e përfolur nga Buffon është reduktimi i pagave. Portieri është futbollisti më i paguar te Juventusi me 5.5 milionë euro në sezon dhe në një periudhë krize, të gjitha skuadrat kërkojnë të bëjnë disa shkurtime, por Buffon nuk duket i gatshëm të bëjë diçka të tillë, duke u përgjigjur shkurt: “Besoj se përfitoj atë që meritoj”.

Nuk ka komente: