e hënë, 23 mars 2009

Iaquinta: Forca jonë është kompaktësia

Sulmuesi juventin ka qenë protagonist në fitoren e ekipit të tij kundër Romës me një dygolësh

Thuhet se ditën e premte në qendrën stërvitore të Romës, Spalletti, ka folur shumë mirë për Vincenzo Iaquintan, të cilin e ka stërvitur në Udine për katër sezone rradhazi. Vlerësimi për lojtarin arrin deri në atë pikë sa do kishte dashur ta kishte me vete edhe tek Roma, dy vjet më parë kur sulmuesi më pas ka kaluar tek Juventusi, por edhe verën e kaluar. Dhe kjo, pavarësisht se i vë në dukje një difekt që për një sulmues është shumë i rëndësishëm. “E vetmja gjë është se shënon pak, ka thënë trajneri. Konkretizon shumë pak. Unë të paktën kështu e kam lënë”. Ndërsa të shtunën në mbrëmje e ka gjetur ndryshe. Nuk i kishte mjaftuar goli, që në kampionatin e kaluar Iaquinta e ka realizuar pikërisht në “Olimpico” në minutat e fundit të ndeshjes kundër Romës. Për t’i mbushur mendjen ish-trajnerit të tij se ka ndryshuar, të shtunën në mbrëmje djali nga Calabria është dashur të shënojë një dygolësh. Jo për t’u hakmarrë, pasi atë e konsideron një mjeshtër. “Më ka dhënë shumë, më ka futur ai në futbollin që ka rëndësi”, ka kujtuar edhe në përfundim të ndeshjes Iaquinta. Por me mjeshtrat, nëse bëhet fjalë për të dhënë leksione, ka më shumë lezet.

KLASIFIKIMI - “Po, jam i lumtur me paraqitjen që kam bërë, por edhe me atë të ekipit. Nuk ishte e lehtë të fitohej këtu. Megjithatë, kemi arritur një fitore të madhe pikërisht sepse kemi qenë kompaktë. Kjo është karakteristika jonë kryesore”. Ai i pari, kur Roma kishte topin, bënte presing dhe ndihmonte edhe mbrojtjen: “Ma ka kërkuar Ranieri, pasi është një gjë që di ta bëj mirë. Mbrojtësit e parë duhet të jenë sulmuesit”. Por jo të gjithë e bëjnë këtë, ndërsa ai që duhet të japë diçka më shumë se të tjerët për të luajtur, po. Në fund, nëse Juventusi nëntë ndeshje nga fundi i kampionatit vazhdon të ruajë hapin ndaj Interit, kjo ka ardhur edhe falë sulmuesit më të “keqtrajtuar” të ekipit. “Po, klasifikimin e shikojmë, ka rrëfyer lojtari, por mbi të gjitha shikojmë veten tonë. Kemi marrë një fitore të rëndësishme kundër Romës, më pas kemi edhe përballjen direkte në shtëpi kundër Interit: duhet të besojmë patjetër. Në “Olimpico” kemi treguar forcën tonë, ne jemi gati”.

FRESKIA - Pasi është ndalur më shumë se një herë nga dëmtimet, me ardhjen e vitit të ri Iaquinta ka merituar hapësirat që prej disa muajsh po i jep Ranieri. I cili duke qeshur ka thënë: “Ka pasur shumë probleme fizike, por tani është i freskët”. Iaquinta vrapon shumë, shënon siç ka bërë kundër Romës ose kundër Chelseat dhe bën të tjerët të shënojnë, ashtu siç ka ndodhur kundër Bolognas kur i ka dhënë një pasim të saktë Sebastian Giovincos. Që të shtunën, pas një sërë kombinimesh që nuk kanë përfunduar siç duhet, kur rezultati ishte 0-0 ia ka kthyer borxhin. Iaquinta është treguar i aftë duke evituar Lorian dhe më pas duke çuar topin në rrjetë me të djathtën në shtyllën e dytë. Më pas kur shifrat ishin 1-1, ka kërcyer më shumë se Mexes dhe ka shënuar me kokë, ashtu si vitin e kaluar, në të njëjtën portë. Ka dhënë edhe një pasim të saktë për Del Pieron. Tashmë, prej kohësh, ai është sulmuesi më rezultativ i Juventusit, si në rolin e sulmuesit të parë ashtu edhe në atë të sulmuesit të dytë.

Nuk ka komente: