e hënë, 16 mars 2009

Giovinco beson: Interi mund të ndalet

Fantazisti i Juventusit, të shtunën, ka qenë protagonist në fitoren e arritur kundër Bolognas

Vincenzo Iaquinta kuptohet shumë mirë me të në fushë gjatë ndeshjes, madje e konsideron fatsjellës për ekipin. Fitorja është e tija, ndeshjen e rihap dhe e vendos ai, Sebastian Giovinco, alias “Milingona Atomike”. I kalon pa problem lojtarët e Bolognas një nga një kur miqtë dukej se ishin zotër të fushës dhe Juventusi dukej i hutuar. Ka marrë sipër shpatullave skuadrën si një milingonë në fushë në vend të gjinkallës Nedved, i dëmtuar. Ka filluar të japë një sërë krosimesh të sakta për shokët e ekipit, të cilët duket se e kishin akoma mendjen tek Chelsea, pa u dorëzuar në asnjë moment, luftarak, indiferent kur Del Piero e ka kritikuar se nuk ia kishte pasuar topin. Më pas krosimi për Salihamidzicin, që ka sjellë golin e barazimit, ka shënuar vetë golin e avantazhit dhe ka dhuruar edhe magji të tjera. Deri në përqafimin me Del Pieron kur edhe kapiteni ka vendosur t’i bashkohet festës me një dygolësh, njëri më i bukur se tjetri, 16 në total në këtë sezon.

VAZHDIMËSI - “Kam luajtur me një farë vazhdimësie, tri ndeshje rradhazi, vetëm kështu, duke gjetur ritmin, jap maksimumin tim, më përpara luaja mirë në në një ndeshje nga tre”, ka qenë komenti i Giovincos. “Nuk kisha asnjë dyshim lidhur me qëndrimin tim tek Juventusi, edhe duke luajtur pak, kam besim tek potenciali im. Pozicioni? E dinë se kush është pozicioni im, por përshtatem me atë që më kërkon trajneri. Interi? Ne kemi bërë punën tonë dhe do të vazhdojmë kështu, ku i dihet ndoshta ata do të gabojnë ndonjëherë”.

FATSJELLËS - “Deri në fund forca Juventus” ("Fino alla fine Forza Juventus"). Sllogani i tifozëve bardhezinj është zhdukur pas golit të Mutarellit, ku i dihet ndoshta mund të sjellë ters. I rinxjerrë në fillimin e pjesës së dytë ka të njëjtin efekt, këtë herë në të kundërt, pasi vjen goli i Salihamidzicit. Goli i parë për të, një gëzim në një sezon të mbushur me probleme, i ndalur nga disa dëmtime. Prapa golit të mesfushorit, qëndron gjithë puna e Giovincos. Përpjekje që janë shpërblyer nga Salihamidzici, i pranishëm në të gjitha aksionet e golave të ekipit. Një rikthim në fushë si zëvendësues i zëvendësuesit, në vend të Marchionnit dhe Camoranesit, me tifozët që janë ngritur në këmbë për ta përshëndetur paraqitjen e tij.

DUARTROKITJE - Edhe për Iaquintan. I cili të shtunën në mbrëmje nuk ka shënuar, por është i gëzuar njësoj. “Sepse në të vërtet goli i Giovincos është si të kishte qenë i imi”, ka thënë sulmuesi në fund të ndeshjes. Ai tek kampionati beson gjithmonë. Besonte edhe kur diferenca nga Interi ka qenë shumë më e madhe. “Dhe sot kemi fituar dhe nuk do të dorëzohemi deri në fund. Të shohim se çfarë do të ndodhë deri në fund. Mungojnë edhe 10 ndeshje. Shumë pikë. Edhe pse, ne në të vërtet nuk duhet të mendojmë për ata, por për veten tonë. Dhe të vazhdojmë të fitojmë. Të gjitha ndeshjet deri në fund do të jenë shumë të rëndësishme”. Pyetjes a do të luaje si sulmues i krahut të djathtë, me Giovincon në të majtë dhe një qendërsulmues, Iaquinta i është përgjigjur kështu: “Ranieri tredhëmbëshin e ka provuar pak herë, por mund të jetë një alternativë”.

Nuk ka komente: