e shtunë, 21 mars 2009

Zonja e Vjetër shkel Ulkonjën Romake


Kryendeshja e javës së 29-të në Serie A, e zhvilluar në Stadio Olimpico të kryeqytetit italian, ndërmjet Romës dhe Juventusit, ka përfunduar me fitoren e lartë të Zonjës së Vjetër, prej 4-1. Juventus e filloi ndeshjen me pretendimin për ta ngushtuar diferencën e pikëve me Interin, në garën për ta fituar titullin kampion, ndërsa Roma objektiv kryesor ka një pozitë e cila çon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm. Vlen të përmendet që të dyja skuadrat luajtën në mungesë të shumë lojtarëve të formacioneve bazë. Te Roma emrat e spikatur që mungonin ishin: Totti, De Rossi, Juan, Cicinho, Aquilani, Taddei, Perrota etj., derisa te Zonja e Vjetër, veç tjerëve munguan: Camoranesi, Sissoko, Zanetti dhe Amauri.

Pjesa e parë
Pjesa më e madhe e gjysmës së parë të ndeshjes u zhvillua me një ritëm jo shumë të shpejtë, me pak raste, pasi që skuadrat zhvillonin një lojë të mençur, duke u munduar të mos lënë shumë hapësira në fushë. Megjithatë, Bianconerët arritën që në minutën e 34 ta zhbllokonin rezultatin. Një lëvizje e mirë e sensacionit juventin, Sebastian Giovinco, e gjeti sulmuesin Vincenzo Iaquinta, i cili e mposhti portierin Doni për t’ia dhënë avantazhin skuadrës mysafire, e cila shkoi në pushim me epërsi minimale.

Pjesa e dytë
Porsa filloi pjesa e dytë e ndeshjes (48’), skuadra e Romës barazoi rezultatin me anë të Simone Lorias, mirëpo ky gol vetëm sa i nervozoi lojtarët mysafir. Sulmuesi i Juventusit, Vincenzo Iaquinta, nuk e lejoi të zgjaste shumë baraspesha, pasi e mposhti për të dytën herë Donin në këtë mbrëmje, duke ia dhënë sërish avantazhin skuadrës së tij (55’). Një krosim të bukur të Del Pieros nga këndi, e shfrytëzoi më së miri mbrojtësi shtatlartë i Bianconerëve, Olof Mellberg, i cili me kokë krijoi avantazhin e dy golave për skuadrën mysafire (68’). Goli i katërt i takoi legjendës së Juves, Pavel Nedved, i cili porsa hyri në lojë e përshëndeti portierin romak me një ‘volley’. Me këtë fitore Juventusi mban gjallë shpresat për Scudetto dhe tani është katër pikë prapa Interit që të dielën e zhvillon ndeshjen e javës së 29-të kundër Regginas.

Të dhëna rreth ndeshjes ROMA-JUVENTUS 1-4 (0-1).

Golashënues: 34’ dhe 55’ Iaquinta, 48’ Loria, 68’ Mellberg, 74’ Nedved.
ROMA: Doni; Panucci, Mexes, Loria (62’ Montella), Riise; Felipe, Brighi; Tonetto, Baptista; Menez (82’ D’Alessandro), Vucinic (92’ Stojan). Në dispozicion: Arthur, Crescenzi, Malomo, Brosco. Tarajner Spalletti.
JUVENTUS: Buffon; Grygera, Mellberg, Chiellini, Molinaro; Salihamidzic, Tiago (70’ Nedved), Poulsen, Giovinco (72’ Marchionni); Iaquinta, Del Piero. Në dispozicion: Chimenti, Zebina, Knezevic, Castiglia, Trezeguet. Trajner Ranieri.
ARBITRO: Rocchi di Firenze.
Karton të verdhë: 24’ pt Loria, 29’ pt Tiago, 40’ pt Mexes, 23’ st Loria, 25’ st Molinaro, 33’ st Menez.

Video nga ndeshja (golat)

Nuk ka komente: