e hënë, 23 mars 2009

Giovinco: Të mbajmë ritmin

Pavarësisht se nuk ka arritur të shënojë në sfidën ndaj Romës, Sebastian Giovinco, edhe një herë tjetër ka zhvilluar një ndeshje të nivelit të lartë. Sigurisht që me “Milingonën Atomike” në fushë, Juventusi i ka dhënë një tjetër ritëm manovrës së saj sulmuese dhe rezultatet janë mëse të dukshme, tetë gola në dy ndeshjet e fundit me Giovincon titullar. Gjithsesi, sulmuesi 22-vjeçar i Juventusit kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë përsa u përket paraqitjeve të tij: “Di që kam ende shumë për të mësuar, mundohem të jap gjithmonë maksimumin në fushë dhe shokët e skuadrës më ndihmojnë për këtë gjë. Duke luajtur me vazhdimësi është e natyrshme që kolaudohem më mirë me të gjithë skuadrën, mbi të gjitha me Del Pieron, me të cilin po kombinohemi gjithmonë e më mirë në ndeshjet e fundit”. Sebastian është shumë i karikuar për mundësinë e dhënë nga Claudio Ranieri dhe kërkon të japë kontributin e tij që Juventusi të fitojë diçka të rëndësishme në përfundim të këtij sezoni, pse jo edhe kampionatin mbi të cilin shpreson ende, pavarësisht se Interi me fitoren ndaj Regginas ka rikthyer sërish diferencën prej shtatë pikësh me bardhezinjtë. Ndaj Romës ishte shumë e rëndësishme që të fitonim dhe besoj se i kemi merituar plotësisht tri pikët, ashtu siç tregoi edhe rezultati. Juventusi shquhet për mentalitet fitues, por edhe ne lojtarët e rinj kemi filluar ta kuptojmë qartë se çdo të thotë kjo. Pikërisht për këtë arsye duhet të vazhdojmë të shpresojmë për titullin, në mënyrë që ta mbyllim me një trofe të rëndësishëm këtë sezon të shkëlqyer për ne”, u shpreh Sebastian Giovinco.

Nuk ka komente: