e enjte, 19 mars 2009

Giovinco: Nuk largohem nga Juventusi

Dhe tani mos guxoni t’ia hiqni këtë Juventus. Sebastian Giovinco më në fund ka riparë dritën, pas shumë muajsh të kaluar në tunel. Shumë pak hapësira, disa mosmarrëveshje me Ranierin. Shpresa të mëdha që janë zhgënjyer rregullisht. Të paktën deri në sfidën e së shtunës kundër Bolognas, e vendosur pikërisht nga paraqitja e tij fantastike. “Më ka pëlqyer të ndihem në qendër të lojës, të shihja se si më kërkonin të tjerët - ka thënë pas ndeshjes. Përshtatem gjithmonë sipas nevojave që ka skuadra, por këtë herë kam qenë pak më shumë i lirë. Kam pasur nevojë për vazhdimësi: me derbin, gjysmëorëshin me Chelsean dhe Bolognan e kam pasur këtë. Vitin e kaluar tek Empoli kam treguar se mund të luaj në serinë A. Tani kam treguar se mund të luaj në serinë A me këtë fanellë”. Dhe këtë fanellë nuk e lëshon nga duart. Pavarësisht zërave të shumtë që vijnë në lidhje me merkaton e Juventusit, projektet e tij janë të qarta: “Do të qëndroj në Torino. Presione? Jo, kam një karakter të fortë. Këtu ndihem mirë dhe konkurrenca është vetëm një stimul më shumë. Lojtarët e mirë janë të mirëpritur. Madje, sa më të mirë të jenë, aq më mirë është. Por unë jam këtu dhe nuk kam ndërmend të lëviz. Duhet të mendoj vetëm për të luajtur dhe fituar. Me Juven”, ka thënë Giovinco.

Nuk ka komente: