e enjte, 19 mars 2009

Drejtuesit juventinë përgënjeshtrojnë zërat

Zërat e fundit që shohin Amaurin, por edhe David Trezeguet me valixhe në dorë drejt Milanit, kundërshtohen pak ashpër nga drejtuesit juventinë, “hiqni duart nga Amauri dhe Trezeguet!”. Një deklaratë e tillë vlen jo vetëm për kuqezinjtë, por edhe për cilëndo skuadër që është e interesuar për dy të sipërpërmendurit. Kundrejt ofertave për dy prej kampionëve, aspo më saktë kolosëve të sulmit të “Zonjës së Vjetër”, presidenca bardhezi u premton tifozerisë së saj se nuk do të tundohet kundrejt asnjë oferte. Një gjë të tillë e konfirmon drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve, Jean-Claude Blanc. “Amauri është i pashitshëm. Do të qëndrojë me ne me 1000 për qind, edhe pse ka një kontratë e cila skadon në vitin 2012. E njëjta gjë vlen edhe për David Trezeguet, ashtu sikundër për të gjithë lojtarët, që aktualisht janë pjesë e Juventusit. Ashtu si të gjithë ju e dini, ne po ecim në bazë të një projekti të filluar dy vite më parë dhe padyshim që Amauri dhe Trezeguet janë pjesë e tij. Pikërisht për këtë arsye, këshilloj të gjitha skuadrat që janë të interesuara për ta, të mos trokasin kot në dyert tona për ta, sepse asnjë lloj oferte nuk do të na tundojë. Ne besojmë te kampionët tanë dhe nuk kemi ndërmend të humbasin asnjë prej tyre”. Duke u qëndruar deklaratave të drejtorit të përgjithshëm të Juventusit, Adriano Galliani me shokë duhet të heqin përfundimisht dorë nga ëndrra për të parë, të paktën njërin, Amaurin apo Trezeguet, me fanellën e Milanit në sezonin e ardhshëm.

Nuk ka komente: