e enjte, 19 mars 2009

Cobolli Gigli: Trezeguet-Ranieri? Gjithçka në rregull

Presidenti juventin ka konfirmuar paqen midis francezit dhe trajnerit pas polemikave mes tyre

Çështja Ranieri-Trezeguet është mbyllur. Fjalë e presidentit të Juventusit, Giovanni Cobolli Gigli, i cili ka theksuar se “ky argument është zgjidhur nga deklaratat e bëra nga Blanc. Trezeguet stërvitet dhe Ranieri drejton stërvitjen”. Eshtë folur edhe për një sulm të mundshëm të Milanit për Amaurin: “Janë thjesht zëra, është i pashitshëm ashtu si Trezeguet”.

KAMPIONATI I NDARË - “Ne nuk kemi ditur asgjë lidhur me këtë. Nuk jemi informuar nga askush”. Presidenti i bardhezinjve, Cobolli Gigli, ka zbuluar se nuk është lajmëruar më parë nga vendimi i marrë nga presidenti i federatës italiane të futbollit, Antonio Matarrese, për të ndryshuar kalendarin e ndeshjeve që ishin programuar të zhvilloheshin midis të shtunës 4 prill dhe të dielës 5 prill. “Në një moment ku po përpiqemi të riformojmë statusin e Ligës, - ka shpjeguar ai , për një përfshirje më të madhe në marrjen e vendimeve dhe jemi këtu për të punuar për këtë… Kur duhen marrë disa vendime pjesëmarrja e më shumë personave mund të kishte qenë e nevojshme. Do të na kishte pëlqyer sikur të na kishin informuar”.

ÇËSHTJA TREZEGUET - “Më duket se ky argument është zgjidhur nga deklaratat e bëra nga Blanc, ditën e shtunë. Kam parë Trezeguet të stërvitet dhe Ranierin që drejtonte stërvitjen. Mendoj se ne duhet të përqendrohemi tek shfrytëzimi i të gjitha mundësive që kemi në dispozicion për të fituar ndeshjet që na kanë mbetur dhe për rrjedhojë uroj që Trezeguet të stërvitet mirë dhe që të luajë kur Ranieri do të vendosë ta aktivizojë”.

AMAURI - “Janë vetëm fjalë. Amauri është i pashitshëm, është një nga kampionët tanë. Ashtu si Trezeguet. Janë futbollistë të lidhur nga kontrata të rëndësishme me një klub, që do të vazhdojë përpara me ta”.

MERKATO - “Emrat nuk përmenden. Egziston një listë dhe Blanc bashkë me Seccon po punojnë për të. Natyrisht gjëja e parë është të llogaritet edhe fakti se Nedved mund të mos ketë më dëshirë për të vazhduar futbollin dhe duhet gjetur një zëvendësues, dhe kjo nuk do jetë shumë e lehtë. Silva mund të jetë një zgjidhje”.

KAMPIONATI DHE ROMA - “Eshtë një ndeshje shumë e rëndësishme, siç janë të gjitha. Nëse mendojmë për dhjetë ndeshjet e ardhshme ose ne i fitojmë dhe dikush tjetër i humb ose nuk mund të bëjmë gjë tjetër”. Mbi të gjitha duke parë luftën për vendin e dytë që duket se do të zhvillohet vetëm midis Milanit dhe Juves. Ancelotti kërkon ta sigurojë atë pozicion për të qenë i qetë lidhur me të ardhmen e tij. “Më duket - ka përfunduar Gigli, se ka gjithë të drejtën për të provuar dhe ne kemi detyrën për ta ndalur”.

Nuk ka komente: