e hënë, 16 mars 2009

Juventusi njëzëri: Besojmë tek titulli


Ambienti bardhezi është entuziazmuar pas suksesit. Ranieri: Ishte e rëndësishme që e nisëm me fitore

Juventusi nuk ka bindur edhe një herë tjetër për 45 minuta, sikur goditjet e marra nga Drogba të kishin vazhduar të ndikonin nga dita e martë tek ajo e shtunë pa ndërprerje. Pjesa e parë e ndeshjes kundër Bolognas dukej sikur do të shënonte fundin e skuadrës së Ranierit, e bllokuar nga zhgënjimi në Champions, e shkatërruar nga lodhja fizike, e torturuar nga polemikat, që kanë pasuar daljen nga kompeticioni europian. “Por ky grup është i fortë brenda, kampionët e mi janë njerëz të shkëlqyer që nuk do të lodhem kurrë, duke i falenderuar”, thoshte trajneri pasi kishte prekur fundin, ndërkohë që ka qenë si një kërcim në tapetin elastik, duke rënë ka rigjetur shtytjen për t’u ringjitur edhe një herë më lart. “Ishte shumë e rëndësishme të riniseshim me një fitore, dhe e kemi bërë shumë mirë pas asaj pjese të parë ku kemi qenë shumë pasivë”. Pas fitores së arritur kundër Bolognas skuadra është shpërblyer me dy ditë më shumë pushim. Kishte javë që futbollistët juventinë punonin pa pushim, duke luajtur tre ndeshje në javë. “Në fakt sot (dje) në mbrëmje do të dal për darkë me gruan time dhe nuk kam ndërmend të shikoj Inter-Fiorentina”, ka thënë duke qeshur Salihamidzic. Juvja kishte me të vërtet nevojë për pak frymëmarrje, edhe pse, më pas, jo të gjithë mund të jenë kaq indiferentë sa mesfushori boshnjak. “Unë ndeshjen do ta shoh, madje, do të bëj tifo për Fiorentinën. Ne tek kampionati besojmë”, ka thënë sulmuesi Iaquinta. Me siguri nuk do të jetë i vetmi që do ta bëjë këtë. Bardhezinjtë kishin nevojë për fitore, pasi vetëm fitorja sjell paqe. Kështu, edhe falë 4-1 kundër Bolognas, çështja Trezeguet, të paktën zyrtarisht, është mbyllur. “Pas reagimeve respektive, për mua gjithçka mbyllet këtu. Nuk jam një njeri që fiksohem mbas gjërave. Edhe me Chiellinin dhe Tiagon kam reaguar në të njëjtën mënyrë, më pas kam qenë i pari që kam pasur besim tek ata. E respektoj Trezeguet dhe kam nevojë për të. Këtu kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve”, ka thënë Ranieri, pikërisht ndërsa Iaquinta ka bërë thirrje për “një shtrëngim duarsh, sepse këto situata nuk janë në stilin e Juves”.

Nuk ka komente: