e enjte, 19 mars 2009

Juvja në dyshim, të shesë kampionët apo jo?

Drejtuesit bardhezinj janë përballë një dileme. Të besojnë tek senatorët apo të rinovojnë ekipin

Peter Kelder rrëfen në librin e tij, “Pesë tibetanët”, sekretin antik të burimit të rinisë. Mund të ndërhyhet psikologjikisht dhe fizikisht ndaj proçesit të plakjes, duke praktikuar pesë rite. Duket se ky tekst është shfletuar edhe në dhomat e zhveshjes së bardhezinjve, mbi të gjithë nga lojtarët simbol të Juventusit, ata që janë afër fundit të karrierës. Buffon, Camoranesi, Del Piero, Nedved, Trezeguet kanë fituar shumë, kanë pranuar sfidën e serisë B pas skandalit të verës së 2006-ës. Kishin dëshirë të fitonin Champions Ligën në vitin e parë të rikthimit të tyre në Europë, por ky sezon ka qenë i mbushur me pengesa. Mosha, dëmtimet, që për disa kanë ndikuar tek rendimenti i tyre, rrezikon të peshojë shumë tek fati i kampionëve, aq sa mund të kushtëzojnë zgjedhjet, që mund të bëjë klubi në të ardhmen. Në shtëpinë e Juves është momenti i dyshimeve: të besojnë akoma tek “të palodhshmit” në sezonin e ri, duke lënë në stol talente të mundshme apo të investojnë, duke shfrytëzuar milionat që mund të vijnë nga shitja e lojtarëve të rëndësishëm?

40 MILIONË - Gigi Buffon, 31 vjeç, është më i riu i pesëshes historike, më i kërkuari në merkato. Milan, Inter, Manchester City dhe United, Barcelona: ofertat në të kaluarën nuk kanë munguar, dhe as do të mungonin nëse SuperGigi do të vendoste të ndryshonte ambient ose nëse do të vinte një ofertë e parezistueshme. 75 milionët e ofruar nga City verën e kaluar janë një kujtim i largët. Kriza ka goditur edhe futbollin dhe i sugjeron veprime të matura edhe pasanikëve të Premier Ligës: 30-45 milion euro vlera aktuale e portierit. Problemet muskulare dhe shqetësimet në shpinë kanë kushtëzuar fazën e parë të sezonit, Gigi akoma nuk është në maksimum.

LAMTUMIRË - Nëse portieri më i mirë i botës do të sakrifikohej në merkaton e ardhshme, paketa milionere (që do të kishte edhe 30 milion të vëna në dispozicion nga bordi drejtues i klubit) do të investohej për të marrë zëvendësuesin e Nedvedit, një mesfushor dhe një mbrojtës. Enigma më e vështirë për t’u zgjidhur ka të bëjë me trashëgimtarin e Pavelit. Mesfushori çek ka bërë të ditur se do të largohet nga futbolli i luajtur në qershorin e ardhshëm në moshën 36 vjeçare, por akoma nuk është thënë fjala e fundit. Emrat për pasardhësin e tij janë të shumtë, nga Ribery tek David Silva dhe Sneijder. Dëmtimet e shpeshta të Camoranesit, këtë vit pothuajse nuk ka qenë asnjëherë në dispozicion, ndërhyrja e dyfishte kirurgjike e Trezeguet, janë zile alarmi që klubi ka ndërmend t’i monitorojë në prag të një zgjedhjeje kurajoze. Në këtë rast ofertat nga merkato mungojnë, për faj të moshës dhe rrogave të larta, 15-20 milion janë shumë. Mbetet për t’u zgjidhur edhe enigma Del Piero. Kapiteni, në 16 vitet e fundit, ka lënë pas shumë konkurentë të rëndësishëm. Me magjitë e tij në fazën e parë të sezonit ka mbajtur Juven në garë si në kampionat ashtu edhe në Champions, duke vuajtur pak lodhjen me ardhjen e vitit të ri, por fizkisht mbahet akoma. Mbas krahëve të tij Cassano do të rrezikonte të pësonte të njëjtin fund si Giovinco. Deri në momentin që “Pinturicchio” nuk do të nxjerrë flamurin e bardhë, do të jetë prijësi kryesor i sulmit bardhezi.

Nuk ka komente: