e premte, 17 tetor 2008

Nedved: Jam i vjetër për këtë futboll!

Mesfushori bardhezi flet për momentin negativ të Juves dhe për ndryshimin e futbollit.

Flet për krizën, “që nuk ka filluar tani, por me ardhjen e euros”. Shpjegon se ky nuk është futboll për të vjetrit, “sepse para ndeshjes të gjithë lojtarët kanë ato kufjet në vesh dhe nuk mund të shkëmbesh më asnjë fjalë”. Pavel Nedved zbret nga makina dhe tërheq frenat e dorës: “Ky nuk është momenti për të bërë intervista, vetëm në fushë duhet folur”. Fillim i mirë. Rrini të qetë, se është vetëm parapërgatitje. Nedved, lojtar i “gardës së vjetër”, që flet për krizën e Juventusit…
“Çfarë krize?

Eshtë spekulim, kemi humbur një ndeshje.”
- Po fitoret?
- E dinim që do të ishte një shtator i vështirë dhe një tetor impenjativ. Polemikat e jashtme kanë ekzistuar gjithmonë. Ne të vjetërit jemi mësuar, kështu që do të luajmë edhe më mirë.
- Ndeshjet e vështira nuk mungojnë, menjëherë Napoli, Reali i Madridit dhe më pas derbi.
- E kam thënë gjithmonë: lojtarët e vërtetë e tregojnë veten në momentet e vështira. Këtu nuk mungojnë lojtarët dhe burrat e vërtetë.
- Keni një ekip muskuloz?
- Nuk është e vërtetë, këtu nuk kemi vetëm klasin e Del Pieros dhe Giovincos. Ka edhe lojtarë të tjerë me cilësi të mëdha. Të paktën, qëkur kam ardhur unë këtu, janë krijuar gjithmonë ekipe me cilësi të larta fizike. Ekzaktësisht, si ekipi ynë.
- E prisnit të qëndronit në stol kundër Palermos?
- Jo, ndoshta mendoja për rastet e tjera, kur do të luanim shumë ndeshje brenda një kohe të shkurtër (qesh). Gjithsesi, sapo jam futur në lojë kemi pësuar gol. Këto janë zgjedhje që duhet të bëjë trajneri. Eshtë e drejtë që të jetë kështu.
- Çfarë trajneri është Ranieri?
- Njeri që ka objektiva të njëjta me ne. Ai do të fitojë, ne duam të fitojmë.
- Në ekipin tuaj ndodhen dy breza përballë njëri-tjetrit?
- E vërtetë, dhe kjo është e bukura. Në fillim të këtij sezoni kam menduar se do të ekzistonin kryesisht dy probleme. E para kishte të bënte me moshën time: tani kur dëmtohem më duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar se më përpara. E dyta, me lojtarët e rinj, të cilët duhet të rriten duke e ditur se ç’do të thotë të veshësh fanellën e Juventusit. Të dyja këto gjëra po shkojnë mirë.
- A ka ndonjë çarje midis trajnerit dhe lojtarëve të vjetër?
-Jo. Ranieri është trajner që flet shumë me lojtarët e tij.
Kalojmë te Championsi.
- Eshtë ëndrra ime.
- Vjen Reali i Madridit.
- Një sfidë e madhe, po e pres me padurim. Përballjet e 2003-shit janë midis takimeve më të bukura që unë mbaj mend. Dhe nuk flas vetëm për vete, por për gjithë ekipin. Dikush ka qëndruar, të tjerë janë larguar, por dueli mbetet unik.
- A është Govinco zëvendësuesi i Nedved?
- Shpresojmë, ka dy vite që po e kërkojnë. Ai po luan shumë mirë.
- Po sekreti juaj, si 36-vjeçar?
- Asnjë. Më pëlqen të stërvitem dhe të ndjek një dietë të rregullt; në kohën e lirë luaj golf.
- Bëni të njëjtën gjë, si Camoranesi dhe Salihamidzic, luani golf edhe në “play-station”?
-Nuk kam luajtur kurrë me të. Fëmijët e mi janë të dëshpëruar, por unë jam djalë fshati, më pëlqejnë gjërat e thjeshta. Babai im thoshte gjithmonë se një ndeshje zgjat vetëm 90 minuta, më pas të gjithë kthehen të barabartë. Kështu jam edukuar: babai punëtor, mamaja shitëse në një dyqan shtetëror. Kështu shkonin gjërat në Çekosllovakinë e socializmit real.
- I keni thënë jo “playstationit”, po me “IPodin”, si jeni?
- Jam dorëzuar kohët e fundit, pas këmbënguljes së Grygeras. Tani është kthyer në ves, edhe në dhomat e zhveshjes të gjithë janë me kufje në vesh. Nuk mund të shkëmbesh asnjë fjalë para ndeshjes. Nuk është më futbolli im, jam i vjetër.
- Një pyetje e fundit, kur do të tërhiqeni?
- Nuk përgjigjem më. Klubi e di se ç’do të bëj.

Nuk ka komente: