e enjte, 23 tetor 2008

Ranieri: Ky ishte reagimi që doja!

Trajneri i Juventusit është shprehur shumë i lumtur për fitoren e arritur përballë Realit “Ndoshta pas pësimit të golit, gjërat u bënë edhe më të vështira për ne, por lojtarët besuan deri në fund. Më duhet t’i përgëzoj djemtë e mi, pasi janë sjellë në fushë si kampionë të vërtetë” Fitorja 2-1 e Juventusit përballë Realit të Madridit, ka rikthyer humorin në kampin bardhezi. Ishte një fitore e madhe, kundër një skuadre të madhe. Një sukses i cili duket se ka hedhur pas krizën që kishte përfshirë Juventusin. Këtë e ka konfirmuar edhe vtë trajneri i kësaj skuadre, Claudio Ranieri, i cili është shprehur shumë i lumtur për atë që dhanë lojtarët e tij në fushën e lojës. “Tani e kuptuan se mund të reagojmë. E dija që kisha një skuadër solide dhe mendoj se kemi arritur një fitore shumë të rëndësishme. Ndoshta në fund kemi patur atë pjesë të fatit që na ka munguar në takimet e fundit. Megjithatë, unë them se skuadra e ka bërë shumë mirë punën e saj. Kemi fituar përballë një rivali shumë të fortë si Reali i Madridit. Goli i Del Pieros na dha shumë besim, por edhe goli i Amaurisë ishte shumë deçiziv”, tha Ranieri, i cili më pas shtoi: “Ndoshta pas pësimit të golit, gjërat u bënë edhe më të vështira për ne, por lojtarët besuan deri në fund. Më duhet t’i përgëzoj djemtë e mi, pasi janë sjellë në fushë si kampionë të vërtetë. Mendoj se e kemi merituar plotësisht këtë fitore, por e rëndësishme për mua është reagimi i skuadrës”. Lidhur me dëmtimet në skuadër, ku në infiermieri është shtuar edhe Marchisio, tekniku Ranieri tha: “Kemi shumë vështirësi më të dëmtuarit. Jemi të detyrua të bëjmë shumë ndryshime nga ndeshja në ndeshje. Por për fat, Nedved ka bërë një ndeshje të shkëlqyer, edhe pse kishte shqetësime”. Tekniku i Juventusi foli edhe për dy tifozët e skuadrës bardhezi të cilët humbën jetën në një aksident rrugor: “Ngushëlloj familjet e dy tifozëve që humbën jetën. Më vjen keq për ta, sepse do të doja shumë që ata të ishin pjesë e suksesit tonë”. Tani për Juven vjen derbi me Torinon në kampionat: “Na presin dy sfida të vështira: me Torinon dhe përsëri me Realin në Champions. Jam i bindur se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të bërë më shumë se kaq”.

Nuk ka komente: