e mërkurë, 22 tetor 2008

Amauri: Kundër Realit realizova ëndrrën e kahmotshme

Sulmuesi 28-vjeçar i Juventusit, Amauri, është shprehur tejet i lumtur me fitoren e skuadrës së tij të arritur në ndeshjen e rrethit të tretë të grupit H kundër Real Madridit, 2:1. Kënaqësia e Amaurit është edhe më e madhe për faktin se në këtë ndeshje realizoi golin e dytë për skuadrën e tij në këtë ndeshje, që ishte goli i tij i parë në Ligën e Kampionëve. "Gjithmonë kam ëndërruar që të shënoj gol në Ligën e Kampionëve dhe tash përfundimisht këtë edhe e arrita. Kundër Realit kemi treguar se qysh mund të luajmë. Kritikat e fundit për lojën tonë na kanë goditur shumë, por tash kemi treguar se ato ishin pavend", ka theksuar Amauri, duke shtuar: "Përgjigja më e mirë ndaj këtyre kritikave është fitorja ndaj një kundërshtari aq të madh siç është Reali". Juventusi i dha fund serisë prej pesë ndeshjeve pa fitore, përfshirë këtu Serinë A dhe Ligën e Kampionëve dhe tashmë kryeson grupin H, me 7 pikë.

Nuk ka komente: