e premte, 17 tetor 2008

Camoranesi, sfidë Napolit dhe Realit

Mesfushori bardhezi, pavarësisht nga dëmtimet, i motivon shokët në prag të ndeshjes në “Sao Paolo” .

Mauro German Camoranesi dërgon në “arkiv” një nga javët e tij më të zeza të Juventusit të tij dhe shpreh besim të madh për sfidën e së shtunës në mbrëmje në “San Paolo” kundër Napolit. “Duhet t’i luajmë ndeshjet e ardhshme me qetësi, - tha italo-argjentinasi, - sepse jemi mirë si grup dhe si skuadër. Kohët e fundit në rendimentin tonë kanë ndikuar mungesat e shumta për shkak të dëmtimeve, por ne nuk kemi frikë asnjë.

Edhe Napoli nuk na tremb.” Për të nënvlerësuar kundërshtarin, ama, Camoranesi as që e mendon. “E respektojmë Napolin, - shpjegoi mesfushori i Juves, - siç respektojmë edhe skuadrat e tjera, duke parë se këtë vit kampionati është shumë i fortë. Kjo vlen edhe për Realin në Champions, edhe pse mendoj se ata kanë frikë nga ne, duke parë që vitet e fundit gjithnjë jemi kualifikuar ne. Besoj se e mendojnë sfidën ndaj nesh si një ndeshje të vështirë.”

Pastaj është e qartë, mes kampionatit e Championsit Juvja duhet të ndjekë një rrugë vendimtare: ose të fitojë, ose lamtumirë shpresë. Është logjike që nuk ka nevojë për motivacione të veçanta. “Pa dyshim, kemi një rrugë ndryshe për të ndjekur drejt Championsit, - vazhdon Kamoranezi, - sepse kemi munguar në këtë veprimtari prej dy vjetësh. Kjo s’do të thotë se mendojmë më pak për kampionatin, por Championsi përfaqëson gjithnjë një pikë më të lartë, në aspektin futbollistik, sepse përballesh me skuadrat më të mira europiane.”
DËMTIMET E MALLKUARA - Para përballjes me Realin, duhet menduar për kampionatin dhe Napolin. “Shpejt do të kthehen edhe shokët që janë të përkushtuar me kombëtaret dhe pas pak ditësh do të luajmë një ndeshje të rëndësishme, si ajo në “San Paolo”. Është një periudhë e vështirë, sepse ka shumë lojtarë që nuk janë në 100% të formës, - përfundon Camoranesi. - Në këto momente thuhen shumë gjëra, por në fund grupi është po i njëjtë. E dimë se cilat janë objektivat tona, nuk i kemi harruar dhe do të vazhdojmë të punojmë, duke shpresuar që ky moment i vështirë të mbarojë, para së gjithash, sa u takon dëmtimeve.”
ZËRA PËR BENITEZIN - Claudio Ranieri do të ketë kohë deri në Krishtlindje “për ta shpëtuar” Juventusin dhe të dalë nga kriza, por, nëse do të dështojë, klubi bardhezi do të zgjedhë njërin mes Rafa Benitezit, Frank Rijkaardit dhe Roberto Donadonit për ta zëvevedësuar. Kështu shkruante dje gazeta e përditshme angleze “Mirror”, duke shpjeguar që favorit është trajneri i Liverpoolit, që ka ndonjë problem me drejtuesit e “të kuqve” dhe që po i skadon kontrata.
Javën e shkuar ishte britanikja tjetër “The Sun”, që e shikonte emrin e Benitezit në stolin e Juventusit, por vetë trajneri spanjoll e pati përgënjeshtruar: “E kam thënë gjithnjë që dua të qëndroj këtu për shumë vite dhe nuk kam ndryshuar ide”. Sipas “Mirror”-it, klubi bardhezi paska menduar edhe për dy zgjedhje të tjera, por të vështira ama: është ish-trajneri i Interit Roberto Mançini dhe Aleks Del Piero, në rolin e trajnerit-lojtar.

Ndërkohë, “organika” për pasardhësin e mundshëm të Ranierit është shtuar me emra të rinj: përveç Prandellit të Fiorentinës, që ka ditë për të cilin po flitet, tashmë janë Benitezi, në epërsi ndaj Rijkaardit e Donadonit, por, nëse situata do të percepitonte për keq, qenka gati edhe Ciro Ferrara, ai që mund ta zëvendësojë Ranierin deri në fund të sezonit të ardhshëm, në pritje të ndonjë prej kandidatëve të mësipërm.


Nuk ka komente: