e shtunë, 25 tetor 2008

“Kemi ende për t’i dhënë këtij sezoni”

Claudio Ranieri është mëse i bindur se, fitorja kundër Realit të Madridit i ka dhënë impulsin e duhur lojtarëve të tij për të përballuar ndeshjen ndaj Torinos, por gjithashtu edhe së ardhmes së sezonit. “Fillimisht dua t’ju deklaroj se nuk kam vendosur ende asgjë konkrete mbi formacionin që do të zbresë që nga minuta e parë kundër Torinos, - thotë kreu i pankinës bardhezi. – Ajo që dua është të kuptoj mirë se tek cilët lojtarë mund të besoj realisht, pasi po kalojmë një periudhë të vështirë lidhur me dëmtimet e shumta. Duam të rikuperojmë sa më shpejt lojtarët që na mungojnë, për të zgjidhur edhe ato pak probleme që na shqetësojnë aktualisht”. Më pas, Ranieri analizon momentin që po kalojnë të dyja skuadrat: “Torino ka pasur mundësinë të karikojë forcat dhe të punojë më qetë se ne për këtë sfidë. Ndërsa ne kemi filluar të mendojmë për Torinon pas ndeshjes me Realin e Madridit. Kemi humbur shumë energji në një sfidë të luftuar deri në sekondën e fundit, por nga ana tjetër është gjithashtu e vërtetë se një fitore e madhe kundër madrilenëve do të na japë më tepër besim në forcat tona. Rëndësia e kësaj ndeshjeje? Derbi mbetet gjithmonë derbi, dhe në përballje të tilla nuk ka asnjëherë favoritë, pavarësisht diferencave që mund të ekzistojnë ndërmjet skuadrave. Juventusi kërkon të luajë një ndeshje spektakolare, në fund të së cilës do patjetër suksesin, të cilin do t’ia dedikojë tifozerisë sonë, sepse ne jemi të ndërgjegjshëm që ata e meritojmë këtë”, vazhdon Ranieri. Optimizmi – Trajneri bardhezi mendon se tashmë, fati i keq e ka lënë të qetë Juventusin: “Vitin e kaluar kemi zhvilluar e fituar shumë ndeshje të rëndësishme, të cilat na lejuan të mbërrinim të tretët në fund të sezonit. Këtë sezon kemi pasur disa vështirësi dhe shumë probleme që lidhen kryesisht me dëmtimet e shumta. Gjithsesi, mendoj se era po ndryshon drejtim dhe ne kemi ende mjaft gjëra për t’i ofruar këtij sezoni”. Kryesia e klubit – Duket sikur suksesi në Ligën e Kampioneve i ka fashitur përfundimisht zërat mbi largimin e Ranierit, ndonëse personi në fjalë e përgënjeshtron mundësinë se gjatë kësaj periudhe, drejtuesit e skuadrës e kanë vënë në dyshim teknikun: “Drejtuesit e klubit dhe lojtarët i kam ndjerë gjithmonë shumë pranë. Për mua nuk është aspak surprizë që presidenti Cobolli Gigli dhe Blanc më kanë përgëzuar për suksesin në Ligën e Kampioneve. Pavarësisht këtyre, mendoj se nuk ekziston një sezon pa vështirësi të tilla, sepse edhe pasardhësit e mi Kapelo e Lipi i kanë përjetuar ato. Unë jap gjithmonë maksimumin dhe mundohem të jem sa më i qartë për lojtarët e mi dhe shpresoj që me bashkëpunimin e tyre, gjërat do të rikthehen së shpejti në normalitet”, përfundon trajneri i Juves, Claudio Ranieri.

Nuk ka komente: