e hënë, 27 tetor 2008

Ranieri: E dija që do të ringriheshim

Trajneri bardhezi ka qenë i sigurtë për reagimin e Juves: Mungesat e shumta ndikuan.

“Po fryn një erë e re”, as një meteorolog nuk do të kishte ditur të bënte një parashikim më të mirë sesa Ranieri në parashikimet e motit… bardhezi. Një barometër kundër rrymës me Realin e Madridit, presion i lartë dhe sërish kohë e hapur, mot i bukur në shtëpinë e Juves pas disa ditësh të zymta. Mbase fitoria në derbi nuk do të mbahet mend si një nga më të bukurat e sezonit, e pakrahasueshme me të martën e Champions Ligës, por ndihmon për renditjen, dhe në këto kohë të vështira, vlen dyfishin. “Një ndeshje e vështirë, - shpjegon tekniku -, kemi bërë presion ndaj Torinos, kemi krijuar shumë në pjesën e parë, më pak në të dytën. Jam i kënaqur, kishim harxhuar shumë energji me Realin por kemi arritur gjithsesi të zotërojmë fushën dhe lojën, duhej vetëm të ishim të qetë në pjesën e dytë dhe të shfrytëzonim më mirë kundërsulmin. Në këtë pikë… jemi si Meri Popins: ka ndryshuar era dhe tani fluturojmë”. Në prag të derbit trajneri roman i kishte kërkuar lojtarëve të tij shumë qartë: “Të mos shkatërrojmë gjithçka…”. I llogjikshëm gëzimi pas 90 minutave. “Na duhej një konfirmim pas Realit. Dy prova krenarie të bukura, kemi qenë të shkëlqyer, nuk e kemi lënë Torinon të gjuaj në portë asnjëherë”, ka thënë trajneri. Nuhatja për Amaurin. “Meritat janë të të gjithëve. Kishim nevojë për një lojtar me karakteristikat e tij, që kishte një përdorim të mirë të topit me të dy këmbët, të ishte altruist, dhe që di të luaj mirë me të gjithë shokët e repartit të sulmit”, deklaron Ranieri. Dy fitore të rëndësishme të njëpasnjëshme, kriza është lënë pas? “Nuk ka pasur asnjëherë krizë, - siguron Ranieri -, më shumë kanë ndikuar dëmtimet e shumta por unë nuk kam qenë për asnjë moment i shqetësuar, klubi dhe skuadra më kanë dhënë qetësi, isha i sigurtë se do të ringriheshim. Klubi, lojtarët, tifozët më kanë qëndruar afër dhe për këtë i falenderoj. Kur ka unitet mund të shkohet shumë larg”.

Nuk ka komente: