e shtunë, 18 tetor 2008

Ranieri: Juventusi nuk dorëzohet kurrë.

Claudio Ranieri prezantohet shumë i karikuar dhe i vendosur në konferencën për shtyp në prag të transfertës së vështirë të Juventusit kundër Napolit. Trajneri i formacionit bardhezi i ka idetë e qarta lidhur me ndeshjen e vështirë që pret skuadrën e tij: “Dimë që Napoli ka një skuadër të shkëlqyer, por mbi të gjitha po kalon një moment fantastik. Në shtëpi, bardhekaltrit kanë vendosur një autoritet bindës, megjithatë ne besojmë se mund ta kalojmë me sukses këtë sfidë përballë tyre. Do të bëjmë të pamundurën për të dalë nga ‘San Paolo’ me tri pikët”, premton Claudio Ranieri. Kriza bardhezi - Juventusi duhet të lërë pas një situatë negative rezultatesh dhe pikërisht si rrjedhojë e një fakti të tillë, dy ditë më parë është zhvilluar një takim urgjent ndërmjet skuadrës dhe presidencës bardhezi. “Duhet të jemi të vendosur për të dalë nga kjo situatë delikate, - thekson trajneri i punuar intensivisht e duke u përmirësuar mund ta hedhim pas krahëve këtë moment negativ. Siç ka ndodhur shpesh vitet e fundit, duhet të tregojmë përherë e më shumë sesa vlejmë. Jemi një skuadër, e në të njëjtën kohë, edhe një shoqëri shumë e bashkuar, edhe pse, në fakt është e vërtetë që në këtë fillim sezoni po bëjmë më pak nga çfarë pritej prej nesh. Këtë problem e kemi biseduar bashkërisht me drejtuesit dhe lojtarët, me bindjen e plotë se do të ndërrojmë ritëm që pas sfidës me Napolin. Tashmë, është vetëm në dorën tonë që të kundërpërgjigjemi në fushë, sepse jam mëse i bindur se jemi akoma në lojë për të synuar të gjitha kompeticionet ku marrim pjesë. Ashtu siç e tregon edhe historia e këtij klubi, Juventusi nuk dorëzohet kurrë”, ka nënvizuar tekniku i “Zonjës së vjetër”. Skuadra e bashkuar – Në fillim të këtij sezoni, objektivat e Juventusit ishin nga më ambiciozët, por duke parë ndeshjet e fundit, a vazhdon të mbeten të njëjta ato?! “Jemi të karikuar për t’u rikthyer fuqishëm në garë për objektivat tanë dhe jemi të bindur se mund t’ia dalim. Marrëdhënia me skuadrën? Jemi të gjithë të bashkuar, pavarësisht zërave të fundit që nuk e konfirmojnë këtë fakt. Unë mund t’ju pohoj këtu se gjatë karrierës sime nuk kam drejtuar kurrë një grup lojtarësh më të bashkuar. Nga kjo javë do të nisim një cikël të vështirë e të rëndësishëm, pasi do të na duhet të zhvillojmë tri ndeshje në javë. Pikërisht për këtë arsye duhet të marrim patjetër një rezultat pozitiv në Napoli, sepse do të na motivonte vërtetë shumë për sfidën me Realin e Madridit. Presioni ndaj meje? Jam më i qetë se kurrë, por tani, me ndihmën e skuadrës duam vetëm të kundërpërgjigjemi ndaj rezultateve të fundit”, përfundonkonferencën e tij për shtyp, trajneri i Juves, Claudio Ranieri.

Nuk ka komente: