e enjte, 23 tetor 2008

Del Piero: Tani fillon e ardhmja e Juves

Kapiteni ka shënuar një supergol kundër Realit të Madridit dhe ka udhëhequr ekipin drejt fitores.

Ndërtimi i një dashurie përzien gjakun me djersën. Përzien një gol dhe një përqafim. Të parën e bën Aleks Del Piero. Të dytën, po ai. Në fillim vjen gjuajtja, që e çon topin aty ku qielli është më blu, aty ku dora e portierit, kandidat për “Topin e Artë”, nuk mund të arrijë. Kjo ndodh vetëm pas pesë minutash: një top i gjatë nga këmbët e Marchisios dhe një kombinim perfekt nga Del Piero dhe Amauri. Në këtë radhë, Del Piero-Amauri-Del Piero. Goditja me të djathtën vjen nga jashtë zone, topi rrotullohet drejt trekëndëshit të portës dhe kalon sipër dorezës së majtë të Casillas. Mbreti Del Piero 1, Real Madrid 0. Më pas, kapiteni bardhezi vrapon drejt “Tribunës Scirea”, nxjerr jashtë gjuhën, bën shenjën e zemrës me duart, si Pato, dhe gjunjëzohet. Më pas bashkohen të gjithë me të; nuk është e drejtë të themi se kush shkoi i pari. Ah po, mbërrin edhe Pavel Nedved. Ai ngjitet më lart se të gjithë. Për Mbretin e Kupave ky ka qenë goli i 47-të, edhe pse UEFA këmbëngul duke i dhënë 48.
ZGJOHU TOBIAS - Gjithsesi, pas ndeshjes kapiteni ka thënë: “Shpresoj që kjo fitore të ketë një kuptim të madh, është një hap i parë i rëndësishëm për të ardhmen. Nuk jemi shëruar plotësisht, por edhe më përpara nuk ishim dhe aq të sëmurë. Tani na presin sfida të tjera të vështira”. Nuk mbaron këtu, pasi ka një përshëndetje të veçantë për Tobiasin: “Djali im ka lindur një vit më parë, dua të festoj me të. Nëse kur të shkoj në shtëpi do të jetë në gjumë? Do ta zgjoj,” - shprehet Del Piero.

Zonja e Vjetër falënderon, ndërsa zonja Del Piero ndoshta jo shumë. Ndërkohë, koleksioni i golave të kapitenit është pasuruar me një tjetër perlë, të martën në mbrëmje kundër Realit të Madridit. Një perlë që ka mahnitur edhe ish-numrin dhjetë të bardhezinjve, që gola të tillë i shënonte jo rrallëherë. “Goli i Del Pieros ka qenë gjëja më e bukur e ndeshjes,” - ka deklaruar Michel Platini nga tribuna.
GARDA E VJETER - Kini besim dhe shikoni atë që ka ndodhur. Këtë herë minutat janë katër, katër të parat e pjesës së dytë. Edhe i riu Marchisio dëmtohet dhe Ranieri e zëvendëson me Salihamidzic, një që në qendër nuk mund të luajë. Kështu, në mes është spostuar Nedevd. Durim, topi shkon në krahun e majtë. Nedved, i cili mban edhe pseudonimin “Zemërimi Çek”, e shikon dhe sulet.
Shkon atje ku ndodhet topi, lufton, fiton, shkon drejt vijës fundore, kroson. E çon topin te koka e Amaurit, që falënderon, dhe i çon shifrat në 2-0. Ja ku vjen edhe përqafimi. Del Piero, që hidhet mbi Nedved, që e përqafon në fushën e Olimpicos. Kështu, para stolit të Ranierit, i cili sapo ka mbushur 57 vjeç, por që hidhet nga gëzimi si të ishte Piter Pan. Kur më në fund Nedved do të arrijë të ngrihet, do të vrapojë drejt trajnerit. Një shtrëngim duarsh dhe sërish në fushë lojtarët e Gardës së Vjetër kanë bërë diferencën. Edhe ata si Trezeguet, Camoranesi apo Zebina. Presin shokët e ekipit dhe i shtrëngojnë dorën, para se të futen në dhomat e zhveshjes. “Jemi të gjithë në të njëjtën varkë,” - ka thënë “mbreti” Del Piero.

Nuk ka komente: