e martë, 14 tetor 2008

Chiellini fajëson dëmtimet

Emergjenca e lojtarëve të dëmtuar në shtëpinë bardhezi pasqyrohet edhe tek Kombëtarja italiane. I vetmi futbollist juventin në dispozicion të Marcello Lippit ka mbetur Giorgio Chiellini. Faktikisht, edhe vetë mbrojtësi bardhezi këtë sezon e ka startuar nga infermieria. Dhe sapo është rikuperuar, nuk ka munguar në asnjë ndeshje. Aktualisht, skuadra e drejtuar nga tekniku Claudio Ranieri po kalon një moment tepër të vështirë. Në lidhje me këtë situatë kaq delikate, mbrojtësi i “Zonjës së vjetër” thotë: “Kemi shumë lojtarë të dëmtuar vetëm gjatë javëve të fundit. Madje këtu në kombëtare unë jam i vetmi lojtar i Juventusit. Tani ndihem shumë më mirë. Kisha nevojë të rikuperohesha nga ai dëmtim. Luajta 6 ndeshje në vetëm 16 ditë dhe pata mjaft probleme me gjurin, por e rëndësishme është që tani jam mirë”. Edhe pse para sfidës me Napolin, që do të luhet të shtunën, ekipi bardhezi ka shumë lojtarë të dëmtuar, Chiellini dëshiron që ta fitojë me çdo kusht këtë ndeshje. “Të shtunën shpresojmë të fitojmë kundër Napolit, megjithëse e dimë mirë që do jetë tepër e vështirë. Gjithsesi, ne duhet të bëjmë të pamundurën për t’u ngjitur sa më lart, pasi ky pozicionim i yni në tabelën e klasifikimit nuk i përshtatet Juventusit”. Më pas mbrojtësi juventini është fokusuar te gjendja aktuale në të cilën ndodhet skuadra: “Juve po përjeton një moment aspak të mirë. Por e rëndësishme është që ne po qëndrojmë të bashkuar pranë teknikut tonë, Claudio Ranieri. Nuk është faji i tij pse kemi marrë rezultate të dobëta gjatë javëve të fundit. E vërteta është se ne jemi persekutuar nga dëmtimet qysh në fillim të këtij sezoni. Megjithatë jam i sigurt se, ashtu siç kemi bërë gjithnjë, skuadra do të arrijë të dalë nga kjo situatë. Sepse Juventusi mbetet gjithmonë Juventus. Ndoshta duke filluar që nga takimi i së shtunës ndaj Napolit, ne do të mund të dalim nga fusha e nga ky moment kaq kritik me ballin lart”.

Nuk ka komente: