e hënë, 20 tetor 2008

Drejtuesit juventinë pranojnë krizën


Pas humbjes me Napolin, administratori i Juventusit, Jean-Claude Blanc, nuk e fsheh aspak krizën e rezultateve që i ka përfshirë bardhezinjtë: “Po kalojmë një moment të vështirë, për shkak të dëmtimeve të shumta që kemi në skuadër, – ka thënë Blanc, duke shtuar. – I kisha kërkuar skuadrës që kundër Napolit të fitonte, për të fituar besimin në vetvete, por për fat të keq në atë ndeshje kemi gabuar shumë në mbrojtje. Në atë repart kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Ky nuk është një justifikim, sepse të gjithë duhet të jepnin maksimumin për të arritur fitoren, por megjithatë dëmtimet po e penalizojnë Juventusin”. Gjithashtu, Blanc konfirmon sërish Ranierin në krye të skuadrës bardhezi: “Ranieri gëzon besimin e klubit. Këtë e kam thënë edhe më parë dhe nuk e gjykoj të nevojshme ta përsëris në çdo intervistë. Por padyshim, nëse tani jemi në këtë krizë, kjo do të thotë që para disa javësh nuk kemi punuar ashtu siç duhet”. Të martën bardhezinjë do të ndeshen me Realin e Madridit dhe ata i janë kthyer menjëherë stërvitjes. Takimi me spanjollët është i vlefshëm për Ligën e Kampioneve. Me këtë rast Alessio Secco dhe Jean-Claude Blanc kanë zhvilluar një takim me të gjithë skuadrën. Gjatë stërvitjes së djeshme në Torino janë parë edhe Iaquinta, Mellberg dhe Legrottaglie, të cilët mund të jenë në fushë kundër Realit, ndërsa të tjerët si Camoranesi, Buffon, Trezeguet, Zebina, Zanetti, Tiago dhe Poulsen do vazhdojnë t’i mungojnë teknikut bardhezi. Mesfushori danez Christian Poulsen, e ka braktisur përpara kohe fushën e “San Paolos” dhe siç bën të ditur stafi mjekësor bardhezi, lojtari do t’i mungojë Juventusit për të paktën 3 javë. Ndeshja e së martës ndërmjet Juventusit-Realit do luhet në orën 20:45 në Torino dhe do drejtohet nga gjyqtari gjerman, Wolfgang Stark.

Nuk ka komente: