e martë, 21 tetor 2008

Cannavaro - Juve, nder që luan me Realin

Reali i Madridit do të luajë në Torino ndeshjen e tretë të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve. Një përballje e fortë, e cila do jetë akoma më shumë speciale për një futbollist si Fabio Cannavaro. Mbrojtësi italian, para se të transferohej te Reali, ka zhvilluar dy sezone me bardhezinjtë, ndërkohë që kjo është hera e parë që do të luajë në Torino, që nga koha që u largua nga ekipi italian. “Jam shumë i lumtur që do të kthehem në një stadium ku kam kaluar dy vite të mrekullueshëm”, tha Cannavaro. Gjithsesi, ai është një lojtar profesionist dhe ka pranuar synimin për të arritur maksimumin në këtë sfidë. - Keni luajtur me Juventusin për dy sezone, pikërisht nga viti 2004 deri në vitin 2006. Tashmë riktheheni në Torino me fanellën e Realit të Madridit... Për mua është një ndeshje mjaft e veçantë. Në Torino kam luajtur vitet më të mira të karrierës sportive. Fitova dy tituj kampion, edhe pse njërin na e mohuan. Për më tepër, kam marrëdhënie shumë të mirë me mjaft lojtarë. Gjithsesi, mendoj se tifozët mund të më vërshëllejnë. Situata të tilla nuk i pëlqejnë njerëzve dhe unë pranova të transferohem te Reali para dy vitesh... - Mendoni se do jetë i lehtë rikthimi juaj? E thashë që do jetë një ndeshje emocionuese. Kam fituar dy tituj aty dhe kam shumë kujtime. - Shkaktoi shumë dëme te tifozët fakti që Juventusi u dënua të luante në kategorinë e dytë? Kanë kaluar dy vite shumë të vështira, sidomos atë sezon në Serinë B. Tifozët kanë vuajtur shumë, gjithsesi përballja me Realin e Madridit është një nder për ta. Jam shumë i lumtur që do kthehem sërish te njerëzit që kalova dy vite shumë të bukura. - Keni pasur kontakte me ish-shokë të ekipit? Kam pasur disa herë kontakte me Kielinin, i cili mund të ishte transferuar tek Atletico Madrid gjatë verës. Kam folur gjithashtu, me Buffonin dhe Del Pieron. - Këtë herë do riktheheni në Torino, por nuk do luani në stadiumin “Delle Alpi”. Është e vërtetë. Do të luajmë në stadiumin “Comunale”. Gjithsesi, nuk është stadiumi, ai që do ndikojë në këtë sfidë. - Çfarë rezultati prisni nga kjo përballje? Minimumi një pikë, por do luajmë për të fituar. - Ju jeni liderët e grupit dhe keni dy pikë më shumë se Juventusi. Kjo nënkupton qartë që do jetë mjaft e vështirë si ndeshje, por ne do japim më të mirën tonë për të siguruar pozitat si kryesues të grupit...

Nuk ka komente: