e diel, 26 tetor 2008

Tiago, Porto rikthehet “të trokasë”

E kërkonin Monaco, Tottenhami dhe Evertoni, por ai, Tiago, ishte shumë i qartë: “Ose më shisni te një klub që luan në Champions, ose qëndroj këtu”. Objektivi ishte të kthehej në Portugali, te Porto. Por nuk u bë gjë. Shumë e lartë kërkesa e Juves, e tepruar rroga e lojtarit. Tani Porto është kthyer në “lojë” dhe Juvja ka ndër mend t’i mbyllë bisedimet në janar: huazim me të drejtë shitjeje për shumën 10 milionë euro. Lëvizja në këtë aspekt do t’i bindte të gjithë. Lojtarin, në radhë të parë (te Juvja s’ka vend për të), pastaj Juven (që do të lirohej nga një rrogë prej 2 milionë eurosh në sezon, me mundësinë për të fituar më shumë parà qershorin që vjen) dhe Porton në fund (do të siguronte shërbimin e një lojtari, i cili është në kërkim të vetvetes). “Zonja” ëndërron të marrë një çek me shtatë zero nga pas, por nuk do të injoronte as ndonjë këmbim lojtarësh. Dy janë emrat nën vëzhgim: Bruno Alves dhe Lucho Gonzales. Të dy 27-vjeçarë, i pari është një mbrojtës energjik 189 centimetra, i dyti është një mesfushor argjentinas me cilësi të vlefshme tekniko-taktike. Pra, Tiago mund të jetë çelësi për të synuar përforcimin e parë të sezonit të ri bardhezi.

Nuk ka komente: