e diel, 26 tetor 2008

Amauri “shëron” Juventusin edhe në derbi

Një tjetër gol vendimtar i brazilianit, pas atij ndaj Realit në Champions.

I shkon Juventusit derbi i Torinos. Në “Olimpico” vendos një gol i Amaurit tri minuta pas fillimit të pjesës së dytë. Goli u shënua në fund të një aksioni personal të sulmuesit bardhezi, i cili ka shmangur Di Loreton me një hap të dyfishtë, hyn në zonë dhe gjunjëzon portierin Calderoni me një prekje të lehtë të topit. Në të vërtetë ishte një ndeshje e tensionuar, me raste të shumta për gol, para së gjithash nga Juventusi. Por Calderoni ishte i zoti dy herë ndaj Marchionnit dhe në një rast ndaj Sissokos. Nëse deri një javë më parë flitej për krizë të plotë dhe mungesë besimi ndaj Claudio Ranierit, tashmë gjithçka duket sikur ishte një ëndërr e keqe dhe Juventusi ka filluar të marrë frymë lirisht. Fitorja ndaj Realit të Madridit në Champions në mesjavë dhe ajo e mbrëmshmja kundër Torinos në derbi, është një sinjal i qartë pozitiv se kriza është larguar dhe se trajneri bardhezi nuk ndihet më nën rrezik. Dy fitore radhazi të rëndësishme për bardhezinjtë në dy sfida sigurisht të “tensionit të lartë”. Megjithatë, ndeshja e djeshme ishte edhe më vendimtare, pasi vetëm fitorja do të largonte çdo polemikë dhe dyshim mbi formwn e bardhezinjve. Dhe fitorja u arrit, me djersë, sedër dhe sakrificë. Juventusi nuk e pati të lehtë të mundte një kundërshtar, që nga ana e tij kërkonte patjetër pikë, pasi edhe trajneri De Biasi ishte në rrezik para ndeshjes. Me gjithë mungesat e shumta për shkak të dëmtimeve, ka mjaftuar një gol vendimtar i Amaurit në minutën e 48 të për t’i dhuruar derbin “Zonjës”. Fitoi Juvja, fitoi, sepse krijoi më shumë dhe sepse në derbin “e shpëtimit”, është ajo që përfitoi shumë nga fati dhe cilësia. Calderoni ishte i pathyeshëm në pjesën e parë, pastaj dorëzohet, duke “bashkëpunuar” në golin e Amaurit. Një pjesë të fajit e ka portieri torinez (i cili dje zëvendësonte titullarin Sereni i dëmtuar), edhe pse në të vërtetë sulmuesi brazilian ka meritën më të madhe. Një meritë që duhet vlerësuar në maksimum, sepse 28-vjeçari i ardhur këtë verë nga Palermo po shënon gola vendimtarë, si ai i së mërkurës ndaj Realit.

Nuk ka komente: