e enjte, 23 tetor 2008

Del Piero konfirmohet “vrasës”

Tridhjetekatër vjeç për të festuar më 9 nëntorin e ardhshëm, të cilat nuk pasqyrohen aspak në fushë. Alessandro Del Piero vazhdon të jetë lideri i Juventusit, sot më shumë se kurrë. Golat e shënuar në këtë sezon të Ligës së Kampioneve për numrin 10 torinez kanë qenë nga më të bukurit e karrierës së tij, dhe si gjithmonë kanë sjellë tri fitore shumë të rëndësishme, por edhe emocione të mëdha për tifozerinë bardhezi. Me ‘perlat’ e tij, Del Piero largon të paktën për momentin një situatë të shëmtuar që ka pushtuar ambientin torinez prej disa javësh. “Ky është një prej momenteve më të vështira që po përjetojmë që nga periudha që unë jam pjesë e Juventusit. Me këtë nuk dua të them se situatat e vështira janë pjesë e historisë së kësaj shoqërie, por sigurisht që në javët e fundit kanë ndodhur shumë gjëra”, thekson Alessandro Del Piero. 12 vjet më vonë, pas golit të parë të shënuar ndaj Realit të Madridit, ‘Pinturicchio’ vazhdon të tërheqë “Zonjën e Vjetër”. “Jam shumë i lumtur për golin e shënuar, pasi ai na lejoi që të zhvillonin një lojë më të qetë. Jemi treguar të zotë në kontrollimin e tensionin që na mbërthente prej disa javësh. Tani jam shumë i lumtur, edhe për vetë llojin e fitores së arritur. Këto janë sukseset që vlejnë, të vuajtura, por të paharrueshme. Shpresojmë që ndeshja ndaj Realit të na shërbejë për të kryer të njëjtën paraqitje edhe në derbin ndaj Torinos, pasi fitorja në kampionat na mungon dhe kjo është ndeshja, e cila mund të ndryshojë rrjedhën e kampionatit tonë”, deklaron kapiteni i Juventusit, Alessandro Del Piero.

Nuk ka komente: