e martë, 9 shtator 2008

Juventusi, gati të blindojë Seba Giovincon

Ndeshja e parë e sezonit për Sebastian Giovincon ishte tepër e errët, pasi Claudio Ranieri nuk i kushtoi asnjë minutë lojë 21-vjeçarit të talentuar. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që trajneri bardhezi nuk beson tek aftësitë e “milingonës atomike”, i vlerësuar si e ardhmja e “Zonjës së Vjetër”. Mbase, pikërisht për këtë arsye, drejtuesit e Juventusit dhe menaxheri i lojtarit do të ulen këto ditë për të biseduar mbi rinovimin e kontratës me sulmuesin e shpresave të Italisë, i cili aktualisht përfiton një shifër modeste prej 50 mijë eurosh në sezon, në një skuadër të përmbushur me kontrata milionere. Ofertat në drejtim të Sebastian Giovincos nuk kanë munguar, madje nga disa prej klubeve më prestigjioze evropiane, si Arsenal, Manchester United e CSKA-ja e Moskës, por bardhezinjtë nuk kanë ndërmend ta lenë të lirë shtatshkurtrin. Menaxheri i lojtarit dhe vetë Giovinco kërkojnë një pagë që të mos jetë nën përfitimin e 600 mijë eurove në sezon, shifër për të cilën Cobolli Gigli me shokë nuk duken të gatshëm të pranojnë. Gjithsesi, në ditët në vazhdim priten risi të tjera.

Nuk ka komente: