e martë, 9 shtator 2008

Olof Mellberg Duhet të tregohesha më agresiv ndaj Gilas”

Në minutën e fundit të sfidës ndaj Fiorentinës i lejoi Gilardinos të shënonte golin që do t’u dhuronte vjollcëve një pikë të rëndësishme, pas një ndeshjeje të dominuar nga Juventusi. Një episod i tillë djegende në ambientin bardhezi, ndërkohë që mbrojtësi i ri, por me shumë eksperiencë i “Zonjës së Vjetër” i rikthehet episodit fatkeq, ku në një farë mënyrë merr përsipër edhe fajin e atij goli të pësuar: “Çfarë mund të them, ndaj Fiorentinës kemi qenë të pafat. Kemi zhvilluar një ndeshje intensive, madje duke e dominuar atë, për një minutë nga fundi ndodhi ajo që ndodhi. Sipas mendimit tim, mund të kishim marrë fare thjeshtë tri pikë të rëndësishme në Firence, pasi kryesonim, por mbi të gjitha ishim edhe në superioritet numerik. Më vjen vërtet keq, pasi ai episod mund të ishte shmangur nëse do të isha treguar më shumë agresiv ndaj Gilardinos”, shprehet mbrojtësi 31- vjeçar suedez, i cili do të zbresë në fushë të shtunën në mbrëmje (në Tiranë) kundër përfaqësueses shqiptare, në ndeshjen e parë eliminatore për Kupën e Botës 2010 (Afrikë e Jugut). Mellberg, pas ndeshjes me Fiorentinën jeni kritikuar mjaft nga shtypi italian, madje duke ju quajtur si shumë të ngathët. Si ndihemi pas këtyre akuzave? Pavarësisht atyre që shkruajnë gazetat dhe gazetarët, e di mjaft mirë se çfarë bëra dhe çfarë duhet të kisha bërë. Ishte një episod i pafat, por nuk dua të ndalem tek ai. Menjëherë pas një ndeshjeje e di saktësisht se çfarë mund të kisha bërë më shumë në paraqitjen time. Në cilën situatë në mënyrë të veçantë? Sigurisht që në aksionin e pësimit të golit të shënuar nga Gilardino. Duhet të tregohesha më agresiv kundrejt tij, pse jo duke rrezikuar disi më shumë në mbrojtjen ndaj tij. Po çfarë mendoni saktësisht për kritikat ndaj jush? Sinqerisht që nuk e di. Tashmë jam i përqendruar totalisht te kombëtarja dhe për dy ndeshjet që na presin brenda këtyre pesë ditëve. Keni folur me Claudio Ranierin pas asaj ndeshjeje me Fiorentinën?Jo. Kemi lënë Firencen sa më shpejt që të mundeshim, pasi shumë prej skuadrës sonë duhet të niseshim menjëherë në grumbullim me kombëtaret respektive. Gjithsesi, të dy e dimë mjaft mirë se çfarë mund të ishte bërë më shumë dhe më mirë për të shmangur atë episod. Njerëzit dhe mbi të gjithë tifozeria pret shumë nga Juventusi në këtë sezon... Sigurisht, por për mua ajo që ndodhi nuk përbën asnjë problem. Më pëlqen, madje më frymëzon të qenit pjesë e një skuadre si Juventusi. Ju jeni i ri në radhët e Juventusit. Sa e rëndësishmeishte për ju të tregoheshit në lartësinë e një fanellë si ajo bardhezi në ndeshjen e parë të këtij sezoni? Mendoj se jam ambientuar mjaft shpejt me këtë skuadër, pasi edhe në miqësoret e para sezonit kam paraqitur një formë të mirë. Natyrisht që është shumë e rëndësishme për mua për të pasur një fillim sezoni të mbarë, por mbi të gjitha në vazhdimësinë e tij.

Nuk ka komente: